KreuCelebrity

VIP-at shqiptarë ‘të bllokuar’ në Dubai mes tensioneve në Lindjen e Mesme: Ja kush janë personazhet e njohur që ndodhen atje

VIP-at shqiptarë ‘të bllokuar’ në Dubai mes

Përshkallëzimi i tensioneve në Lindjen e Mesme mes SHBA-së, Izraelit dhe Iranit ka shkaktuar shqetësim të madh në shumë vende të botës, përfshirë edhe Shqipërinë. Prej rreth një jave, përplasjet dhe sulmet me raketa kanë dominuar lajmet ndërkombëtare, duke lënë pas viktima dhe dëme të konsiderueshme.

Pas goditjeve të fundit, Irani ka lëshuar raketa drejt disa vendeve në rajon, ndërsa raportime të ndryshme kanë përfshirë edhe zona pranë Emirateve të Bashkuara Arabe. Kjo situatë ka shtuar shqetësimin edhe për shqiptarët që ndodhen atje, veçanërisht në Dubai.

Sipas Ministrisë së Punëve të Jashtme, aktualisht në Emiratet e Bashkuara Arabe ndodhen rreth 3 mijë shqiptarë. Prej tyre, rreth 1500 janë rezidentë, ndërsa 1500 të tjerë janë turistë. Nga këta të fundit, rreth 500 persona janë vetëdeklaruar pranë ambasadës shqiptare se ndodhen në Emirate.

Mes shqiptarëve që ndodhen në Dubai ka edhe disa personazhe të njohur të showbiz-it.

Reperi kosovar Fero ka reaguar përmes një postimi në “InstaStory”, pasi shumë ndjekës i kanë shkruar për t’u interesuar për sigurinë e tij. Ai ka bërë të ditur se ndodhet në Dubai dhe është mirë, duke siguruar fansat se nuk ka vend për shqetësim.

“Faleminderit shumë të gjithëve që më keni shkruar dhe keni pyetur për mua. Jam mirë, jam safe, mos u bëni merak. Respekt maksimal për gjithë kujdesin që ma keni treguar”, ka shkruar ai.

Në Dubai ndodhet gjithashtu edhe modelja Arbenita Ismajli, ish-partnerja e Feros, e cila prej kohësh jeton dhe punon në këtë qytet. Edhe ajo ka bërë të ditur përmes rrjeteve sociale se është në gjendje të mirë dhe nuk ka pasur probleme nga situata e krijuar.

Ndërkohë, moderatorja Alesia Bami ka qenë gjithashtu në Dubai gjatë këtyre ditëve. Në rrjetet sociale ajo ka ndarë pamje nga pushimet e saj, duke shijuar restorantet dhe plazhet luksoze të qytetit. Megjithatë, moderatorja nuk ka komentuar nëse situata e tensionuar ka ndikuar drejtpërdrejt në zonën ku ajo ndodhet.

Edhe këngëtarja Morena Taraku ka ndarë me ndjekësit momente nga situata në Dubai. Në një video të publikuar në Instagram, ajo tregon një shtëllungë të madhe tymi dhe zjarri pranë zonës ku banon, që sipas saj erdhi si pasojë e mbetjeve nga dronët e interceptuar.

Në mesin e shqiptarëve që kanë qenë së fundmi në Dubai është edhe Ada Deda, vajza e ish-deputetes Albina Deda. Ajo ka publikuar foto nga rrugët e qytetit, duke shkruar “Jeta vazhdon”, ndërsa ka bërë të ditur se nuk ka pasur probleme.

Po ashtu, edhe këngëtarja Kejsi Tola ka ndarë në rrjetet sociale pamje nga pushimet e saj në Dubai. Ajo ka preferuar të mos komentojë për situatën e tensionuar, duke publikuar vetëm foto nga destinacionet që po viziton.

Ndërkohë, Ministria e Punëve të Jashtme u ka bërë thirrje të gjithë shqiptarëve që ndodhen në vendet e rajonit të Lindjes së Mesme të tregojnë kujdes të shtuar dhe, nëse është e mundur, të rikthehen sa më shpejt në vend, për shkak të rrezikut të përshkallëzimit të mëtejshëm të situatës.