
Ish-banori i Big Brother VIP Kosova, Lim Hoti, ishte i ftuar mbrëmjen e kaluar në spektaklin e humorit Portokalli, ku u përball me disa pyetje pikante nga aktorët e programit, veçanërisht rreth jetës së tij personale dhe marrëdhënieve që krijoi gjatë qëndrimit në shtëpinë e famshme.
Gjatë intervistës, diskutimi u ndal te raportet që ai pati me dy nga vajzat e spektaklit, Dolce dhe Alba Pollozhani, me të cilat u pa shpesh i afërt gjatë lojës.
I pyetur pse nuk vazhdoi lidhja me Dolcen, Lim Hoti iu përgjigj me humor. Ai e përshkroi atë si një vajzë shumë të ëmbël, por shtoi me shaka se ndonjëherë ëmbëlsia mund të bëhet “e tepërt”.
“Dolce është shumë e ëmbël, por ndonjëherë ëmbëlsia kalon në diabet, prandaj është më mirë të mbaj pak distancë”, u shpreh ai duke qeshur.
Batuta e tij shkaktoi të qeshura në studio dhe u prit me duartrokitje nga publiku, duke treguar edhe një herë stilin e tij ironik që e karakterizoi edhe gjatë pjesëmarrjes në BBVK.
Pas përfundimit të reality show-t, Dolce nuk ka bërë deklarata publike lidhur me raportin e saj me Lim Hoti apo me Edi, me të cilët krijoi afrimitet gjatë qëndrimit në shtëpinë e spektaklit.
