Këngëtari kanadez Justin Bieber është përfshirë sërish në një incident me paparacët pas një mbrëmjeje me bashkëshorten e tij, Hailey Bieber, në Kaliforni.
Sipas raportimeve të mediave ndërkombëtare, artisti 31-vjeçar ishte duke u larguar nga restoranti i njohur Sushi Park në West Hollywood, ku kishte darkuar me Hailey. Në momentin që po hynte në makinë, Bieber hodhi një shishe uji në drejtim të paparacëve që po e fotografonin.
Një video që është bërë virale në rrjetet sociale tregon momentin kur këngëtari, dukshëm i irrituar nga prania e fotografëve, hedh shishen përpara se të futet në makinë. Shishja nuk goditi askënd dhe përfundoi në tokë, por gjesti i tij tregoi qartë pakënaqësinë ndaj paparacëve që po e ndiqnin.
Justin bieber was too nice next time he should hit them with something bigger pic.twitter.com/SkebqXSM17
— ???? (@sandyeilish6) March 9, 2026
Më herët gjatë mbrëmjes, Justin dhe Hailey ishin parë duke darkuar edhe në South Beverly Grill në Beverly Hills. Justin kishte zgjedhur një kostum sportiv blu, ndërsa Hailey ishte veshur me një bluzë rozë me mëngë të gjata, të kombinuar me një fund lëkure të zi midi, syze dhe taka.

Nuk është hera e parë që Bieber përplaset me paparacët. Në një incident të mëparshëm që u bë viral, ai u dëgjua duke u kërkuar fotografëve të ndalonin provokimet dhe të respektonin privatësinë e tij, duke theksuar se është “një njeri i vërtetë me një familje të vërtetë”.
Ngjarja vjen në një periudhë kur këngëtari është rikthyer gradualisht në skenë. Ai u shfaq së fundmi në ceremoninë e Grammy Awards, ku performoi këngën “Yukon” nga albumi i tij “Swag”, në një performancë minimaliste vetëm me kitarë nën një dritë spoti. Bieber ishte gjithashtu i nominuar në disa kategori, përfshirë “Albumi i Vitit” dhe “Best Pop Vocal Album”.
Ndërkohë, Hailey Bieber ka folur së fundmi edhe për sfidat personale në rrugëtimin drejt mëmësisë. Në podcastin She MD, modelja tregoi se më parë ishte diagnostikuar me një septum në mitër, një gjendje që mund të ndikojë në fertilitet dhe që kërkonte një ndërhyrje të vogël kirurgjikale para se çifti të vendoste të krijonte familje.
