Ka ndërruar jetë Giuseppe Raimondo Vittorio Baudo, një nga figurat më të mëdha dhe më të dashura të televizionit italian. Prezantuesi legjendar u shua mbrëmjen e sotme, në moshën 89-vjeçare.
Pippo Baudo, siç e njihnin të gjithë, mbetet një ndër emrat më të shquar të historisë së ekranit italian, krahas Mike Bongiorno, Corrado dhe Raimondo Vianello. Për dekada me radhë, ai ishte sinonim i profesionalizmit, karizmës dhe elegancës në prezantim.
Karriera e tij e jashtëzakonshme përfshiu dhjetëra programe të suksesshme, mes të cilave Settevoci, Canzonissima, Domenica In, Fantastico, Serata d’Onore, Novecento, si dhe padyshim Festivalin e Sanremos. Me 13 edicione të drejtuara midis viteve 1968 dhe 2008, Baudo mban rekordin e prezantuesit më të shpeshtë të këtij eventi, ku në shtatë raste ka qenë edhe drejtor artistik.
Përveç televizionit, Baudo la gjurmë edhe në skenën teatrore, në kinematografi dhe seriale televizive, shpesh duke luajtur vetveten. Ai gjithashtu kontribuoi në muzikë, duke shkruar këngë që u përdorën në filma dhe programe televizive.
Në vitet e fundit, Baudo kishte zgjedhur të qëndronte më i tërhequr nga jeta publike, duke refuzuar disa projekte dhe duke u shfaqur rrallë në ekran. Paraqitja e tij e fundit televizive ishte në shtator 2023.


