
Zamira Kita është nga ato aktore të sinqerta në skenë, që e dallon apriori. Të njëjtin imazh të saj kam memorizuar, kur për herë të parë e kam parë në skeçet, që transmetoheshin në natën e Vitit të Ri në ekranin e RTSH-së. Më pas shfaqjet në teatër, daljet në ekran, nëpër intervista, ku gjithmonë ka shprehur mendimin dhe jetën e saj pa doreza; por siç i referohet ajo një shprehjeje “mos gënje, po dhe të vërtetën mos e thuaj vend e pavend!”. Në këtë filozofi të saj bashkohem po aq. E takojmë sot në këtë bisedë për BORDO me rastin e ngjarjes jubile, 75-vjetorit të teatrit “Andon Zako Çajupi”, të cilin e drejton plot pasion dhe përkushtim. E rritur në atë skenë, që 11 vjeçe shfaqur si aktore, e gjithë jetën në atë mjedis të mrekullueshëm, Zamira nuk mund të shihet larg tij, për të dhe për ne ajo është personifikimi i teatrit Çajupi!
Zamira, pak ditë më parë festuat 75-vjetorin e teatrit “Andon Zako Çajupi”. Si ishte ky jubile për ju si drejtuese?
"Teatri festoi 75-vjetorin dhe kjo ishte një ngjarje e madhe për teatrin dhe qytetin tonë. Ishte një festë për artistët, artdashësit dhe qytetarët. 75 vite, punë e bukur artistike, por edhe shumë e vështirë! Përgjegjësia jonë ishte që të kujtonim me nderim gjithçka që ka kaluar në këto vite, që nga dita e parë e krijimit të teatrit profesionist të Korçës “A. Z. Çajupi”. Të bënim homazh për figurat e ndritura të Teatrit tonë! Ne përgatitëm një dokumentar me shumë kujdes dhe dashuri, të titulluar “Rritmi i Teatrit” për të cilin dua të falënderoj në mënyrë të veçantë gazetaren dhe aktoren Merita Çoçoli, Spartak Papadhimitrin, etj. Ky dokumentar ju kushtua historisë së teatrit, rrugës në të cilën ka ecur ai, si dhe kujtuam shumë personalitete që kanë vënë gurët e themelit, por edhe shumë të tjerë që i kemi humbur këto vitet e fundit. Gjithashtu ngjitëm në skenë të gjithë brezat, ata që tashmë janë larguar nga teatri por që ende janë aktivë, si dhe gjithë trupën e teatrit tonë! Kësaj feste ia shtoi rëndësinë, bukurinë dhe madhështinë prezenca e shumë artistëve të ftuar, si dhe familjarë, miq të artistëve, artdashës dhe qytetarë të Korçës. Uruam njëri-tjetrin, vizituam muzeun e teatrit, që është i vetmi në Shqipëri dhe shijuam bashkë një gotë duke uruar “Rroftë Teatri”."
Përtej drejtimit, për ju ky teatër është vendi, ku jeni rritur dhe jeni bërë kjo që jeni sot. E mban mend herën e parë kur keni hyrë në teatër, qoftë dhe si spektatore. Cili është kujtimi juaj i parë me të?
"Teatri është dashuria ime, është vend i shenjtë për mua! Hera e parë që jam ngjitur në skenë, që e mbaj mend ka qenë një shfaqje estrade, ku luaja me babain tim. Isha 11 vjeçe. Që nga ajo kohë nuk jam shkëputur nga teatri, edhe si nxënëse, edhe si amatore, deri sa u bëra pjesë e trupës profesioniste."
Po si aktore, kur keni dalë për herë të parë, në skenën e “Çajupit” dhe si e kujtoni sot?
"Për herë të parë kam dalë në një shfaqje të Skënder Rusit “Dikush hyri mes nesh”, me regjinë fantastike të Emil Bibollit, i cili për fat të keq vdiq në moshën 27-vjeçare sepse patjetër që do kishte bërë çudira në teatër. Këtu luaja krah Pandi Raidhit."
Sa herë jeni ngjitur në këtë skenë dhe cili ka qenë momenti më emocionues, të cilin e risillni me nostalgji gjithmonë?
"Nuk e mbaj mend sa herë jam ngjitur në atë skenë, qindra herë sepse kam realizuar shumë role, kam drejtuar shumë koncerte dhe spektakle. Momenti më emocionues dhe i dhimbshëm ka qenë momenti kur aktori, kolegu dhe miku im Aleko Prodani ndërroi jetë në skenë… Çdo premierë të suksesshme e kujtoj me nostalgji. Momentin e reverancës, përshëndetjes e pres me shumë kënaqësi, sepse çdo duartrokitje dhe ovacion janë dashuria e publikut për mua, për ne!"
Teatri “Çajupi”, por edhe ju vetë si drejtuese i keni hapur dyert mjaft shfaqjeve nga qytetet e tjera. Cila ka qenë ajo më e veçanta, një ngjarje, që për teatrin dhe qytetin e Korçës ka qenë eveniment?
"Teatri ynë vërtet ka hapur dyert për shumë shfaqje, të gjitha janë pritur me sukses! Do të veçoja shfaqjet e Teatrit të Operës dhe Baletit, si dhe shfaqjet “Medea”, “Babai”, “Vanja Sonja Masha etj.”, “Shirli Valentina”, “Tërësisht te huaj”, etj."
Vera është periudhë pushimi për të gjithë. Për një artiste si ju, si është? Është pushim, apo dhe një kohë ku projekton sezonin e ri?
"Vera për ne në Korçë është shumë aktive. Jo vetëm projektojmë sezonin e vjeshtës dhe më tej, por kemi dhe shumë aktivitete si Karnavalet e Korçës, MIK Festival, Serenata, Lumina etj…"

Zamira, ju jeni një nga aktoret më të rëndësishme të 3 dekadave të fundit. A keni një ëndërr në këtë drejtim? Një rol? Një bashkëpunim, që ende nuk e ke bërë dhe dëshironi ta keni në portofolin e punëve tuaja?
"Unë kam ëndërr vetëm të vazhdoj të punoj, të bëj role të tjera, t’i shtoj ato që kam bërë. Po, një dëshirë e kam të luaj në një projekt me trupën e Teatrit Kombëtar."
Zamira, ju nuk keni hezituar të ndani jetën tuaj personale në media. Sot, kur në median sociale njerëzit ndajnë gjithçka, ndonjëherë edhe me tepri, për ju sa vlerë ka të jesh i vërtetë me publikun? Dhe ka një masë deri ku duhet thënë jeta personale?
"Unë mendoj që duhet të jemi të sinqertë për ato që marrim përsipër të themi, të mos gënjejmë, të mos zbukurojmë, mos e teprojmë, por sigurisht nuk mund t’i themi të gjitha. Më kujtohet një shprehje; “Mos gënje, por jo vend e pavend të thuash të vërtetën”!"
Ka diçka për të cilën je penduar, që e ke ndarë me publikun dhe është keqkuptuar?
"Jo, nuk jam penduar për asgjë që kam ndarë me publikun! Janë gjëra njerëzore që të gjithëve na ndodhin. Jeta nuk është vetëm e bukur, ka sfidat e veta. Ka dhimbje, mundime, lot, pakënaqësi, por që të gjitha, besoj, na bëjnë më të fortë."
Zamira, si e shihni të ardhmen? Veten tuaj pas 10 vitesh?
"Ahhh, nëse do të kem shëndet, e shoh si sot, në skenë, në film, në festivale, aktive (ose, më mirë, kështu do të më pëlqente!). Të shpresojmë!"
Nga Ilda Lumani
-
3 libra që mund t'i lexoni këto ditë, sugjeruar nga Bordo!
16 Gusht, 12:34 -


