Aktorja e njohur amerikane, Zoe Kravitz, ka ndarë një histori të pazakontë që i ndodhi këtë vit, kur për shkak të zjarreve të mëdha në Kaliforni u detyrua të strehohej te Taylor Swift në Beverly Hills.
E ftuar në “Late Night With Seth Meyers”, Kravitz tregoi se qëndroi për dy javë në rezidencën madhështore të këngëtares, së bashku me nënën e saj, Lisa Bonet, dhe kafshën e tyre shtëpiake – një gjarpër me emrin Orfeu. Vila e Swift, të cilën ajo e përshkroi si “një perlë arkitekturore e viteve ’30”, u bë përkohësisht shtëpia e saj, ku përpiqej të ishte mysafire shembullore dhe ta linte çdo gjë më mirë se e kishte gjetur.
Por, para largimit, ndodhi incidenti komik: gjarpri ishte zhdukur dhe ishte futur në një vrimë pranë një stoli të fiksuar në mur. Tentativat për ta nxjerrë dështuan dhe menaxheri i shtëpisë u detyrua të çmontonte një pjesë muri dhe të thyente pllaka të banjës. “Ishim mes dy zgjedhjeve: ose t’ia shkatërronim banjën, ose t’i thoshim që në shtëpi kishte një gjarpër,” rrëfeu me humor aktorja.
Zoe tha se kishte kërkuar që Swift të mos informohej derisa të zgjidhej situata, por këngëtarja e mori vesh para kohe. Megjithatë, Kravitz e falënderoi për mikpritjen dhe zemërgjerësinë, duke e quajtur një shpëtim në një moment të vështirë.

