Në Francë po përhapet një ide sa e pazakontë, aq edhe intriguese: çifte të reja po shesin ftesa për dasmën e tyre te persona të panjohur, për të mbuluar një pjesë të kostove të ceremonisë.
Ky koncept inovativ ka marrë jetë falë platformës Invitin, një startup parizien i themeluar nga Katia Lekarski. Ideja lindi nga një pyetje e pafajshme e vajzës së saj pesëvjeçare, e cila donte të dinte pse nuk merrnin kurrë pjesë në dasma. Tani, përmes kësaj platforme, çiftet mund të vendosin vetë çmimin e “biletës” dhe të zgjedhin cilët aplikantë do të ftojnë në festë.
Sipas The Guardian, ky model po sfidon konceptin tradicional të dasmës, duke e kthyer në një përvojë të hapur për publikun që dëshiron të jetë pjesë e një dite të veçantë, edhe pa njohje personale me çiftin.
Ekzistojnë disa rregulla të domosdoshme për të ftuarit: veshje elegante, sjellje korrekte dhe ndalim i postimit të fotove pa lejen e organizatorëve. Deri tani janë organizuar vetëm gjashtë dasma përmes Invitin, kryesisht nga çifte 25–35 vjeç, por ideja po zgjon kureshtje edhe jashtë Francës, në vende të tjera të Europës.

