
I gjatë, elegant, me një profil që e bën të spikatur si në kinema ashtu edhe në modë, Luan Aliu është një emër që ka rënë në sy natyrshëm në industrinë shqiptare të filmit dhe më gjerë. Mes roleve në projekte ndërkombëtare, punës si model dhe eksperiencës në televizion, fushës së arkitekturës, ai mbetet një nga figurat më interesante të brezit të ri të artistëve shqiptarë – një kombinim i rrallë mes përkushtimit fizik, ndjeshmërisë së brendshme dhe stilit të përkorë. Në këtë rrëfim për “Bordo”, ai ndan pasionet, sfidat dhe ëndrrat.
Luan, si nisi rrugëtimi yt në botën e aktrimit? A ishte pasion që lindi herët apo ndodhi rastësisht?
Pasioni për aktrimin ka lindur relativisht vonë, në periudhën kur isha duke përfunduar studimet e larta. Televizioni ka qenë një pasion më i hershëm në fakt. Mirëpo në fillimet e mia isha duke kërkuar disa mundësi, thjesht që të nisja diku me disa eksperienca konkrete, dhe rastësia deshi që të zgjidhesha për 2 role njëherazi për filmat e diplomës të studentëve për regji, 1 rol tek Akademia e Arteve dhe 1 rol te “Marubi”. Pra, fillimi ka qenë me 2 role, filma me metrazh të shkurtër në vitin 2013.
Ke interpretuar në filma shqiptarë dhe ndërkombëtarë. Si ndryshon procesi i punës në një prodhim shqiptar nga një i huaj?
Dallimi më i madh është faza e fillimit, ku filmat ndërkombëtarë bëjnë audicione për të zgjedhur aktorët më të përshtatshëm për rolet e tyre. Filmat shqiptarë nuk para funksionojnë me audicione. Por, duhet thënë që kohët e fundit ka shumë filma shqiptarë që po prodhojnë produksione cilësore me buxhete të larta dhe me staf shumë profesional.
A ka një rol që të ka shënuar më shumë shpirtërisht apo profesionalisht?
Nga pikëpamja profesionale do të veçoj rolin te filmi “Luanët drejt Venecias” i regjisorit Jonid Jorgji, në të cilin edhe pse kisha pak skena, mund të them që ishte një rol kontrovers, në të cilin pata mundësinë të luaj pranë aktorëve Vasjan Lami, Marjana Kondi dhe Alesja Xhemalaj.
Cili është ëndrra jote e madhe si aktor – një zhanër, një regjisor apo një partner aktrimi që do të doje ta përjetoje në skenë?
Ëndrra ime është të luaj në filma historikë, fantazi apo në filmat me super heronj…. Sepse ajo që me tërheq më shumë tek aktrimi është mundësia që të jesh pjesë e një kohe dhe hapësire tjetër imagjinare. Regjisori i preferuar Christopher Nolan. Partnere aktrimi Charlize Theron…. Në ëndrrat e mia d.m.th. (qesh).
Ke një prani shumë të fortë fizike. Sa vend zë përkujdesja për trupin dhe pamjen në jetën tënde të përditshme?
Në lidhje me kujdesjen për fizikun vend të rëndësishëm zë palestra, ku ushtrohem mesatarisht 5 herë në javë. Por, nuk e ekzagjeroj me peshat. Po aq i rëndësishëm është edhe ushqimi në përditshmëri. Në lidhje me pamjen varet nga periudha, nëse jam në një periudhë xhirimesh, për një sezon televiziv, padyshim që kujdesi është më konsistent. Në periudha pauze jo ndonjë gjë e veçantë.

Në set si aktor apo gjatë xhirimeve të një programi televiziv. Ku ndihesh më shumë vetvetja?
Padyshim që më komod është televizioni pasi je vetvetja. Ndërsa aktrimi vjen më shumë parapërgatitje dhe me përgjegjësi më të mëdha.
Cili është raporti yt me modën? A ke një stilist personal apo i beson instinktit?
Raporti im me modën ka qenë i përhershëm, pasi jam djalë i një rrobaqepësi. Veshjet e mia klasike janë me porosi nga Avni Aliu (babi), ndërsa për veshjet e tjera funksionoj instinktivisht me anë të shijeve të mia, pa i kushtuar shumë rëndësi markës.
Të kemi parë edhe në ekranin televiziv si prezantues. Sa dhe si ndryshon kjo fushë krahasuar me aktrimin?
Ndryshimin kryesor e përmenda pak më lartë. Në TV jam unë dhe personaliteti im, ndërsa në film luaj dikë tjetër. Ndryshim ka goxha, edhe pse në të dyja rastet je para kamerave. Aktrimi do më shumë parapërgatitje dhe një film xhirohet në një muaj. Ndërsa në TV e kundërta, do më pak para përgatitje, por një sezon televiziv zgjat 4 muaj zakonisht.
A ka ndonjë projekt të ri televiziv që po përgatit ose që do të doje ta realizoje?
Aktualisht jam në pauzë nga TV. Nëse do të rikthehem, me shumë mundësi do të jetë vazhdimi me sezone të tjera televizive të programit tim në lidhje me Real Estate, Arkitekturën dhe Interior Design. Por, momentalisht jam i fokusuar në disa trajnime aktrimi me disa profesorë amerikanë, që së fundmi kanë hapur qendrën “Catalyst Story Institute”. Një qendër kreative, e cila ka si synim të sjellë produksione amerikane të xhirojnë në Shqipëri.
Ndërkohë edhe arkitekt… duam të dimë pak më shumë për Luanin arkitekt?
Po. Arkitektura është profesioni im kryesor për të cilin edhe jam diplomuar. Është puna e përditshme, kryesisht merrem me projekte interieri. E kam luksin edhe mundësinë, që ta vë në pauzë sa herë që jam duke u marrë me një program televiziv ose me një projekt kinematografik. Pra, të kuptohemi, të gjitha këto nuk i bëj çdo ditë njëkohësisht, diçka e tillë është e pamundur. Punoj me prioritet dhe me bazë projekti, pra një nga një.
Çfarë është suksesi për ty?
Suksesi për mua është të bësh realitet ëndrrat dhe pasionet e tua, dhe personalisht më pëlqen më shumë kur arrihet me mund dhe me punë.
A ka një moto që ndjek në jetë, një frazë që të frymëzon?
Ka shumë, por meqenëse po flasim për aspektin profesional dhe atë kreativ do të veçoja, “Gjithmonë i njëjtë, por ama gjithmonë ndryshe” ose “Always the same but always different”.
Si është një ditë a zakonshme e Luanit jashtë kamerave?
Një ditë e zakonshme nis patjetër me mëngjes të plotë dhe kafe para se të dal nga shtëpia, mëngjesin nuk e bëj kurrë ‘skip’. E përditshmja e zakonshme i dedikohet kryesisht profesionit tim, si arkitekt me projektet e interierit dhe palestra patjetër. Në periudhat më pak të ngarkuara, një rutinë e shpeshtë është edhe të shkuarit në kinema për filmat më të përfolur të zhanreve të ndryshme. Të dëgjuarit muzikë gjithashtu është diçka thuajse e përditshme për mua, dhe frekuentimi i ambienteve me muzikë të mirë gjithashtu.
A të tërheq më shumë një karrierë ndërkombëtare apo dëshiron të japësh më shumë kontribut në Shqipëri?
Do të doja që të tentoja një karrierë ndërkombëtare sepse ka shumë vende që kinematografinë e kanë një sektor të konsoliduar tashmë. A është e thjeshtë? Padyshim që jo, por të paktën duhet provuar. Ndërsa në Shqipëri mundësitë janë të limituara, sepse edhe tregu këtu është i tillë. Nëse në të ardhmen situata do të ndryshojë dhe Shqipëria do të ketë prodhime me impakt edhe me të gjerë, patjetër që po.
Si e sheh zhvillimin e kinemasë shqiptare sot?
Unë jam optimist si natyrë, dhe besoj se zhvillimi i turizmit ka bërë që Shqipëria të marrë shumë vëmendje 2-3 vitet e fundit. Uroj që kjo gjë të përkthehet edhe në më shumë mundësi për ardhjen e produksioneve të huaja këtu te ne, pra që të xhirojnë në Shqipëri. E nëse ata do të mbeten të kënaqur dhe kjo gjë përsëritet, mund të shënojë krijimin e një sektori të mirëfilltë kinematografie në vendin tonë.
Nga Brunilda Gorovelli
