
Gjykata Themelore në Gjilan ka lëshuar urdhër-arrest dhe letër-rreshtim ndërkombëtar ndaj Arbenita Ismajlit. Lajmin ka konfirmuar Sabit Shkodra, udhëheqës i Zyrës për Informim dhe Komunikim me Media në Gjykatën e Shkallës së Parë në Gjilan, i cili është shprehur për Telegraf:
“Po, është e vërtetë që kemi lëshuar urdhër-arrestin dhe letrën e rreshtimit ndërkombëtar. Në ditën që është bërë kërkesa nga ana e Prokurorisë Themelore në Gjilan, Gjykata ka ndërmarrë të gjitha veprimet e nevojshme, konform kompetencave ligjore dhe në përputhje me legjislacionin në fuqi”, tha Shkodra.
Prokuroria Themelore në Gjilan ka nisur hetimet ndaj Arbenita Ismajlit në qershor të këtij viti, pas dyshimeve se ajo nuk ka zbatuar një vendim gjyqësor që i garantonte babait biologjik, Feronit Shabani, të drejtën për të takuar vajzën e tyre të përbashkët. Sipas aktvendimit, Shabani kishte të drejtë ta takonte vajzën dy herë në muaj, përmes Qendrës për Punë Sociale në Gjilan. Megjithatë, sipas pretendimeve të prokurorisë, Ismajli ka penguar zbatimin e këtij vendimi.
Më 10 korrik 2025, ndaj saj është ngritur aktakuzë për dy vepra penale: “Marrja apo mbajtja e kundërligjshme e fëmijës” dhe “Mospërfillje të gjykatës”. Prokurorja e rastit deklaron se Ismajli dyshohet se, që nga shtatori 2024, e ka larguar vajzën nga Kosova dhe ka qëndruar me të në disa vende të Evropës dhe Lindjes së Afërt, duke ia pamundësuar babait ushtrimin e të drejtave prindërore.
Ndërkohë, e njëjta prokurori ka ngritur aktakuzë edhe ndaj Feronit Shabanit, për tri vepra penale: “Dhunë në familje”, “Ngacmim seksual” dhe “Kanosje”, të cilat pretendohet t’i ketë kryer ndaj Arbenita Ismajlit në periudhën qershor–tetor 2024.
