KreuCelebrity

Transformohu nga shtëpia me Marin Camaj! EKSKLUZIVISHT PËR BORDO

 

Para 10 vitesh ai u kthye në një model për ata që ndiqnin seancat e tij stërvitore në palestër, por sot, trajneri personal Marin Camaj, e ka gjetur zgjidhjen e duhur përmes platformës “Transformohu nga shtëpia”, edhe për ata që nuk gjejnë kohë për të patur një trup të bukur. Platforma online e ideuar dhe drejtuar nga Marin Camaj, ofron me një klikim: plane stërvitore, regjim ushqimor dhe seanca relaksi, për vajzat në karrierë, nënat e reja apo gratë që duan të kujdesen për familjen, e njëkohësisht për trupin dhe mendjen e tyre. 

Pas vitesh eksperiencë si trajner personal, si erdhi ideja e "Transformohu nga shtëpia"?

"Duke qenë se tashmë prej mbi 10 vjet trajner individual por dhe klasash, ku kam stërvitur me qindra dhe mijëra vajza e gra, kam parë efektshmërinë, prakticitetin dhe preferencën e këtyre lloj trajnimeve me peshën e trupit. Janë të thjeshta, qoftë në ambientin ku kryhen, kursejnë kohë dhe nuk kërkojnë pajisje ekstra. Ishte periudha e karantinës që më nxiti për të nisur “Transformohu nga Shtëpia”, pasi më shkruanin vazhdimisht dhe pashë nevojën e madhe. E mora vendimin duke e ofruar si mundësi, sepse kërkesa po rritej për këtë shërbim edhe shumica e klienteve që nuk janë në Shqipëri, kishin nevojë për t’u kujdesur për trupin. Duke qenë se unë kam klasa fizike dhe jam trajner me kohë të plotë, kohën e kam të limituar, ndaj vendosa të jem i aksesueshëm për të gjithë, me një kosto bazike, që të përballohet nga kushdo, pa dallim kufiri e krahine, pra ku ndodhesh dhe kur ndodhesh, ti mundesh të bësh stërvitje."

E ke dëgjuar shprehjen: Nuk kam kohë për të shkuar në palestër – ju si e çoni palestrën në shtëpi?

"Kjo është një ndër pikat që zgjidh ky program: efektin kohë, mungesën e informacionit, nevojën për një trajner apo një guidë të saktë që ta kesh pranë në çdo fazë të procesit. Nga ana tjetër, kemi krijuar një komunitet me vajza e gra që kanë një qëllim, që punojnë për të njëjtin objektiv: një trup të fortë e të shëndetshëm. Pra, mënyra si funksionon programi është shumë i thjeshtë. Ne kemi dy grupe në telegram: një grup për komunitetin, që janë vajzat që kanë dëshirë të jenë pjesë e grupit, ku mund të bisedojnë apo suportojnë njëra-tjetrën dhe grupi i dytë, ku ne postojmë video të seancave, të cilat janë ‘live’ ose të regjistruara, bashkë me planet ushqimore. Ne ofrojmë akses të plotë që të zhvillosh kursin në çfarëdo kushtesh që ti do, në natyrë, shtëpi apo palestër, duke ndjekur dhe një plan ushqimor sipas kategorisë ku ndodhesh, pasi çdo kategori ka një plan specifik që i përshtatet." 

Çfarë ofron një paketë, çfarë nivel vështirësie ka dhe a janë të personalizuara?

"Program përshtatet për të gjitha kategoritë e zonjave dhe zonjushave, ku për secilin ushtrim unë jap variantin e lehtë dhe të vështirë, ku secila zgjedh atë që mund të realizojë. Është një platformë e cila përqafon një numër të madh pjesëmarrësesh. Kemi seanca ekstra për muskujt e barkut, për posturën dhe relaksin e gjithë trupit, duke ofruar dhe seanca meditimi të posaçme, të cilat janë të efektshme dhe relaksuese. Pra, përveç strukturës bazike të stërvitjes dhe ushqimit, ofrojmë çdo muaj edhe këto bonuse që janë pjesë e programit."

A është e domosdoshme të takoheni me klientet apo gjithçka ndodh online?

"Gjithçka realizohet virtualisht, që nga momenti që abonohesh dhe bëhesh pjesë e programit, secili realizon programin me ritmin e tij, por ne jemi aty në çdo moment me grupin e suportit, por edhe unë jam në krye të gjithë këtij procesit, për të gjithë që kanë pyetje gjatë këtij rrugëtimi."

Për klientë specifikë, a ka programe specifike?

"Qëllimi kryesor i programit është të arrish një trup sa më fit, që do të thotë ulja e masës dhjamore, shtim i masës muskulare, formave të trupit, rritje e forcës muskulare, përmirësim i posturës, zhvillim i fleksibilitetit dhe elasticitetit. Duam që në fund të seancës të dalësh më energjik dhe mezi të presësh të vijë seanca tjetër. Përsa i takon programeve specifike, ne kemi kategori që duan të shtojnë peshë, ndaj kemi plane specifike për ta. Kush ka probleme me mesin apo gjunjët jepen këshilla brenda programit, duke referuar një ushtrime për këto problematika, por në këto raste duhet një vlerësim i mjekut para se të jesh pjesë e programit."

Je në punë, me pushime apo në shtëpi, platforma vjen kudo ku ndodhesh?

"Plaforma gjendet te xhepi yt: te telefoni, laptopi, apo ta lidhësh me televizorin, e ke me vete, vetëm një buton larg. Kudo dhe kurdo të jesh: hap telefonin apo laptopin, klikojini play videos dhe filloni stërvitjen."

A duhet të kesh pajisje në shtëpi apo mund të realizohet me mjete rrethanore?

"Stërvitja realizohet me mjete rrethanore. Të vetmet pajisje që ne këshillojmë për një stimulim më të plotë të trupit, janë një palë gira dhe disa llastiqe të vogla rrumbullakëta. Ne kemi shumë vajza që stërviten në parkun e pallatit apo në plazh, e në pa mundësi të girave, mund të stërviten edhe me një shishe uji."

Pas sa kohësh sheh ndryshimin?

"Komenti më i shpeshtë që marrin pas seancës së parë është: pse nuk e kam nisur më parë. Sepse është niveli i energjisë që të ndjek që pas seancës së parë, që e stimulon trupin, ju bën të ndiheni energjikë dhe entuziastë. Ndryshimet ndihen që pas seancës së parë, por ndryshimet në peshë e në trup ndihen pas javës së parë, ditët e para ku nis kontrollin e ushqimit, hapat ekstra dhe realizimin e programit. Fillon e sheh se barku shfryhet ngadalë, trupi drejtohet, fle më mirë dhe je më energjik. Pra, ndryshimi në gjendjen si ndihesh në trupin tënd nis që seancën e parë, ndryshimi si dukesh fillon që pas javës së parë. Ka vajza që kanë humbur 4 deri 7 kilogramë që muajin e parë, kjo varet nga çfarë peshë e fillon. Sa më shumë peshë ekstra ke për të hequr, aq më i madh është ndryshimi që ditët e para të programit. Në 3 muaj ndihet shumë ndryshim që në perimetrin e rrobave, pra si dukesh në pasqyrë dhe si të shohin të tjerët."

Marin kur folëm më thatë që trajnimi më i madh te klientet është psikologjik, pse?

"Programi nuk është veç tonifikim e forma, por e sheh njeriun në tërësi. Anën fizike e mendore e konsiderojmë një: trup i shëndetshëm, mendje e shëndetshme. Fokusi është i madh dhe në aspektin mendor me seanca meditimi, ushtrime frymëmarrje dhe relaksimi, duke arritur përveç trupit, të krijojmë një fitness mental."

Këshillat nuk janë vetëm në pjesën e fitnesit, por dhe nutricionizmit, si i gërshetoni ato?

"Çdo plan transformimi fizik apo mendor, ka nevojë për një regjim ushqimor të duhur. Çdo muaj kemi një plan ushqimor që realizohet nga ekspertë nutricionistë me plane të mirëstudjuara që kanë dhënë rezultate shumë të mira. Përveç kësaj ofroj seminare dhe takime online me vajzat për pyetjet që kanë, nëse njëra prej tyre nuk po arrin rezultate, ne flasim për të gjetur zgjidhje praktike, si të modifikojnë ushqimin, të bëjnë zgjedhjet e duhura në kushtet ku janë, në lidhje me oraret, sasinë dhe cilësinë, pra gjithçka praktike për të arritur objektivat."

Videot tuaja duken të thjeshta e praktike; a janë kështu dhe në program?

"Në thelb të trajnimit në program unë kam thjeshtësinë, në mënyrë që çdo gjë të jetë lehtësisht e aplikueshme, që ta bëjë si dikush që ka eksperiencë apo dikush është fillestar. Mendoj që ky është një ndër themelet e çdo profesioni: nëse je i kuptueshëm dhe flet një gjuhë të thjeshtë, si ajo e personit që ke përballë, arrin të jesh motivim për atë. Me këtë program ne nuk kërkojmë perfeksion, kërkojmë vazhdueshmëri. Mund ta prishim me ushqimin ose të mungojmë në stërvitje, po të nesërmen kthehemi prapë në ritmin tonë."

Si e sheh të ardhmen e trajnimit online?

"Nisur nga eksperienca personale këto 6 muaj, interesi ka qenë i madh për disa faktorë: E para, pjesa ekonomike, sepse është një program me kosto të ulët dhe vlerë të madhe, që ofron të gjitha shtresat. E dyta, rrethanat: qoftë brenda apo jashtë Shqipërisë, (gjysma e klientëve janë jashtë vendit), mund të jesh pjesë e programit. Jeta është bërë e shpejtë dhe koha është e limituar, ndaj shumica e pjesëtareve të programit janë nëna të reja, zonja e zonjusha në karrierë e që kujdesen për familjen. “Transformohu nga shtëpia” është një zgjidhje shumë praktike dhe e mirë."

Nga Olsi Kolami