KreuCelebrity

“Jeta është përtej palestrës” – Armando Hidi dhe filozofia e balancës!

 

“Jeta është përtej palestrës” – Armando

Armando Hidi nuk është thjesht një trajner personal, por një filozof i trupit dhe mendjes. Nga palestra në rrjetet sociale, ai udhëheq me mendimin se ndryshimi i vërtetë fillon nga brenda. Me përvojë në trajtimin e rasteve ekstreme dhe me një qasje të balancuar ndaj jetës së shëndetshme, Armando është kthyer në një mentor të heshtur për shumë shqiptarë që kërkojnë transformim – jo vetëm fizik, por edhe emocional. Në këtë intervistë, ai ndan rrugëtimin e tij, sfidat, rolin e babait dhe bashkëshortit, si dhe mesazhet e ndershme për të gjithë ata që e ndjekin. 

Nga filozofia te sporti dhe te palestra, si ishte kjo vendimmarrje e jotja? 

"Fillimet e mia kanë qenë gjithmonë me sport, jam marrë me futboll dhe me sporte të ndryshme për qejf. Më pas duhej që të bëja një shkollë, edhe e vetmja alternativë që mu dha për momentin me sistemin që ishte me zgjedhje me renditje, ishte filozofia. Në fillim e pata shumë pasion, por duke parë hapësirat për punë që ishin shumë të vështira, gati të pamundura, ndoqa pasionin, kështu që ja ku jam sot këtu."

Je penduar ndonjëherë për këtë vendim? 

"Jo nuk jam penduar sepse unë pas shkollës bëra një konkurrim për në policinë e shtetit, ku dhe fitova. Isha i 23-ti nga 200 aplikantë. Dhe atë m’u desh ta lija përsëri, sepse e dija që nuk ndihesha mirë, kështu që sporti ishte ajo që realisht doja."

Për të ndryshuar trupin duhet të bëjmë dhe një ndryshim të mendësisë apo nuk ndikohen nga njëra-tjetra? 

"Absolutisht. Gjithçka nis nga mendja. Po nuk ndryshoi kjo, nuk ke për të ndryshuar kurrë pjesën fizike."

Përveç stërvitjes personale je dhe mentor për të gjithë ata që duan të humbin peshë ose për t’u motivuar, cili ka qenë rasti më i suksesshëm ose rasti më i vështirë që ke patur? 

Unë kam trajtuar gjithmonë raste ekstreme, duke nisur nga persona që kanë qenë femra me një gjatësi rreth diku 1,60 me peshë 120 kg, edhe është pothuajse e pamundur sepse përveç të tjerash kanë dhe probleme shëndetësore. Rasti që dua të përmend që ka qenë më i suksesshmi ka qenë i një gruaje te të 60-tat, me një peshë relativisht 100 kg dhe lufta ka qenë shumë më e madhe, si nga ana hormonale ashtu edhe mendore, sepse ka qenë shumë vite mbipeshë. Dhe ta bindje të ushqehej mirë, si dhe t’i rrisje forcën pa e dëmtuar, pa kaluar në dëmtime që janë te gjunjët, pjesët e hernies, ishte e vështirë. Por, sot që po flasim është diku te 75 kilogramë. 

 

 

Në rastet kur njerëzit demotivohen, si i shtyn që të vazhdojnë përpara? 

Unë ndjek një taktikë që në fillim i lejoj që të jenë pak ‘free’, pra jo t’i krijoj traumë te pjesa e stërvitjes. Mundohem që t’i jap ambientimin, familjarizimin me palestrën, të bëhemi miq të mirë, të kuptohemi, të ndihet rehat dhe më pas, pas disa muajsh fillojmë punën reale për t’u dobësuar. 

Çfarë do të thotë për ty një njeri i shëndetshëm? 

Një njeri i shëndetshëm është ai person që ka krijuar një balancë në jetën e vetë. Shumë njerëz bëjnë diçka të tillë që kanë mirë stërvitjen, por nuk kanë mirë gjumin, stresin apo ushqimin. Disa të tjerë kujdesen për gjumin, për ushqimin, por nuk bëjnë asnjë lloj aktiviteti fizik. Të jesh i shëndetshëm duhet të kesh balancë të të gjithë gjërave. Do të thotë që mos të bësh asgjë ekstreme. Mund të pish dhe alkool por në mënyrë të moderuar, të bësh stërvitje por jo ta kalosh të bësh në maksimum. Të jesh healthy, por jo ta kalosh në pjesën që të hash vetëm ushqime të shëndetshme pa i dhënë trupit vlerat e duhura 100%. Sepse trupi ka nevojë për një gamë të gjerë ushqimesh. Disa fokusohen te proteinat dhe lënë pjesën e perimeve apo frutave. Pra, për mua është të jesh i balancuar në gjithë këto gjëra. 

Si e trajton varësinë që mund të kenë disa njerëz nga stërvitja, nga suplementet, nga stërvitja qoftë edhe çdo fazë të ditës së tyre, të jetës së tyre, e lidhin vetëm me palestrën dhe stërvitjen? 

Në fakt me këto persona nuk kam të bëj shumë, sepse këto janë të veçuar edhe kanë jetën e tyre, por në rrjetet e mia sociale mundohem që t’ju them që jeta është përtej mureve të palestrës. Nuk është vetëm stërvitja jetë, edhe unë kam qenë viktimë e kësaj gjësë. Në fillimet e mia, jetoja le të themi për palestrën edhe çdo gjë rrotullohej rreth palestrës. Por bëhet shumë mbytëse edhe herë-herë ka shumë gjasa të biesh në depresion, sepse nuk të jep asgjë më lumturi në jetë përveç se rutina në palestër dhe në momentin që ti del të shijosh një gjë, nuk di të marrësh më kënaqësi nga asgjë. 

Një influencer edhe në rrjetet sociale, ke një rrjet të madh ndjekësish, si i influencon njerëzit përmes rrjeteve sociale? 

Unë mundohem të mos bëhet te pjesa e viralitetit. Shumë herë kam një luftë të brendshme, sepse dua të jap atë që realisht njerëzve ju duhet. Mundohem të jap këshilla reale dhe jo thjesht trende që dalin për momentin. Mundohem shumë të bëj content që njerëzve ju shërben për atë gjë, edhe pse njerëzit duan gjëra që thjesht bëjnë bum për momentin. Apo thjesht fjali të shkurtra, mos ha këtë por këtë, unë mundohem të zgjatem edhe pse nuk ka shumë interes, por dua që realisht që ata që besojnë dhe duan mendimin tim të marrin një gjë të saktë dhe jo thjesht një informacion ‘fast food’. 

Ndërkohë baba, bashkëshort dhe profesionist, si i ndan të treja këto? 

Në fillimet e mia ka qenë shumë e vështirë kjo gjë, sepse me ardhjen e fëmijës u fokusova shumë dhe doja të kaloja shumë kohë aty. Por kuptova që duhet të vazhdoj punën kështu që kam gjetur një balancë, normalisht kam ulur oraret e punës, jam munduar që të organizohem që të gjej kohë për të gjitha. Por të them të drejtën është e vështirë, nuk është e thjeshtë. 

Gjithashtu Betina, bashkëshortja jote, është shprehur se ka kaluar një periudhë ankthi, sa ka ndikuar sporti në tejkalimin e kësaj situate? 

Më shumë ka ndikuar pjesa psikologjike që kam punuar me atë, sepse akoma nuk është rikthyer 100%, tentoi të kthehej disa herë, por edhe puna edhe angazhimet nuk gjeti shumë kohë. Është e vërtetë që femrat pas lindjes, kalojnë një periudhë të vështirë. Por që shyqyr Zotit me atë durimin dhe pa i bërë presion, sepse edhe njerëzit mendonin që duke qenë unë trajner, direkt pas lindjes do ta ktheja në formë dhe nuk rashë pre e kësaj gjësë që t’i ushtroj presion që të rikthehej. Por e lashë që të merrte atë kohën për t’u shëruar dhe për të ardhur mirë. Dhe me shpresën e Zotit, në shtator do të nisim rrugëtimin për të ndryshuar trupin. 

Disa këshilla për verën? 

Për verën absolutisht që dua t’ju them e para mos lini stërvitjen edhe pse është verë, mund ta bëni të moderuar, të ulni oraret, ditët, por mos ta lini 100%. Të zgjidhni momentin e ditës kur ftohet ato që e bëjnë në natyrë, por dhe në palestër kur bien pak temperaturat. Të hidratohen sepse është shumë jetike dhe të kujdesen për vapën sidomos për moshat sepse jep pasoja fatale. 

Nga Brunilda Gorovelli