James Van Der Beek, i njohur më së shumti për rolin e tij në serialin “Dawson’s Creek”, ka ndarë publikisht përvojën e tij me betejën kundër kancerit të zorrës së trashë. Aktori amerikan foli pa doreza për simptomat e tij të para, supozimet e gabuara dhe tronditjen që pasoi diagnozën.
Shenjat e para të sëmundjes u shfaqën në gusht të vitit 2023, kur ai ishte 46 vjeç. Van Der Beek thotë se fillimisht vuri re ndryshime në jashtëqitjen e tij, por nuk i pa ato si alarmante. Ai ia atribuoi simptomat konsumit të shtuar të kafesë, duke besuar se gjendja do të normalizohej sapo të ndalonte konsumimin e kafeinës.
“Kisha një ndjesi se e gjitha ishte rezultat i dietës ose stresit dhe mendova se do të zhdukej vetë”, ishte komenti i tij. Megjithatë, kur problemet nuk u zhdukën, ai vendosi të kërkonte ndihmë mjekësore dhe të kryente një kolonoskopi. Diagnoza që pasoi ishte tronditëse – kancer i zorrës së trashë në fazën e tretë, me metastaza në nyjet limfatike.
“Më duhej shumë kohë për ta pranuar diagnozën. Edhe sot e kam të vështirë ta besoj. Megjithatë, nëse historia ime shpëton qoftë edhe një person nga e njëjta gjë, kjo do të jetë shumë mirë për mua”, tha Van Der Beek në një postim prekës në rrjetet sociale.
Ajo që e bën rastin e tij veçanërisht të jashtëzakonshëm është fakti se Jamës bënte një jetë jashtëzakonisht të shëndetshme – ushtrohej rregullisht, shkonte në sauna dhe banjo me akull, bënte Pilates, kërcente, luante futboll dhe përdorte ushqime organike. Megjithatë, sëmundja nuk e fali. Në ditëlindjen e tij të 48-të, Van Der Beek i tregoi ndjekësve se sa i vështirë kishte qenë viti i kaluar për të. Ai theksoi se sëmundja e kishte detyruar të rishqyrtonte gjithçka që kishte menduar për veten dhe jetën.


