
Sindi është një prej atyre vajzave që të ngroh me mendimet e saj të thella, por dhe të befason me qartësinë, maturinë dhe përkushtimin që i jep çdo gjëje që bën. Një shkrimtare e re, një studente në Fakultetin e Drejtësisë, një ëndërrimtare që kërkon të ruajë pasionin për artin dhe të mos harrojë kurrë zërin e brendshëm që e udhëheq. Sindi ka shkruar librin e saj të parë në moshën 9-vjeçare. Dhe nuk u ndal më.
“Kam shkruar atë që doja të lexoja si fëmijë”, rrëfen ajo me një buzëqeshje të sinqertë. Një histori që lindi nga dashuria për teatrin në shkollë, për lëndët që nxisnin krijimtarinë dhe për letërsinë që i dha zemër fjalës. Ajo histori e parë për fëmijë u bë fillimi i një rruge që pas viteve do të sillte romanin e saj të tretë – një thriller që erdhi si shpërthim pas një bllokimi krijues pesëvjeçar.
“Për mua, pjesa më e vështirë është ideja e parë. Ajo duhet të jetë aq e fortë sa të më mbajë gjatë gjithë procesit të shkrimit. Dhe kur e gjej, atëherë e di që ka ardhur koha të nis”, tregon Sindi.
Shkrimi për të është ritual. Nuk e bën dot në shtëpi. Ka nevojë për një hapësirë të qetë jashtë, ku të largohet nga shpërqendrimet dhe të zhytet në botën që ndërton me fjalë. Kur një libër përfundon, nuk e dërgon menjëherë për botim. I rikthehet, e rilexon, e korrigjon.
“Më pëlqen që ngjarjet të rrjedhin natyrshëm. Unë nuk e di gjithmonë si do të përfundojë historia. Ia lë imagjinatës rrugën e hapur”.
Nga një aventurë për fëmijë në një roman romantik, e më pas te një thriller, udhëtimi i saj si autore është një përpjekje për të gjetur zhanrin ku rezonon më shumë. Dhe e ka gjetur.
“E kuptova që si lexuese adhuroj thrillerat. Si autore, më japin hapësirë të luaj me mendjen, emocionin dhe surprizën”.
Përtej letërsisë, Sindi është një njeri i thjeshtë, i dashur me jetën. Ajo gjen lumturi në gjërat e vogla, në një ecje vetëm në natyrë, në një kafe me miket e saj, në një pasdite me filma e muzikë.
“Më pëlqen të dëgjoj muzikë me kufje me orë të tëra. Është mënyra ime për t’u qetësuar dhe për të rimbushur kreativitetin”.
Pas një vajze kaq të përkushtuar qëndron një pasion tjetër i fshehur: gatimi.
“Nuk e tregoj shpesh, por më pëlqen shumë të gatuaj”, thotë ajo me modesti.

E rritur si vajza e një artisteje, Sindi ka patur gjithnjë një kontakt të natyrshëm me publikun. Megjithatë, zgjedh të qëndrojë e rezervuar, larg ekspozimit të tepërt.
“Unë jam një njeri diskret. Nëse ka një gjë që më lidh me publikun është vetëm shkrimi. Jeta ime është private dhe dua ta mbaj të tillë”.
Ajo është një zë i ri, i veçantë dhe i sinqertë në letërsinë shqiptare, dhe ndonëse e ardhmja është ende për t’u shkruar, Sindi është e sigurt për një gjë:
“Do të kisha shumë dëshirë ta ruaja këtë pasion për shkrimin deri në fund të jetës. Është mënyra ime për të ndarë mendimet, emocionet dhe botën time me të tjerët”.
Nëse nuk do të ishte shkrimtare, Sindi do të kishte qenë regjisore. Sepse arti, në çfarëdo forme, është shtëpia e saj. Dhe ndoshta, në të ardhmen, fjalët e saj do të shndërrohen në skenarë filmi, në histori që nuk lexohen vetëm, por shihen, ndihen dhe prekin. Sigurisht, ajo nuk lë mënjanë pasionin për televizionin dhe kinematografinë.
“Po unë e dua shumë televizionin, dua shumë kinematografinë. Ka qenë një ndër degët e para që unë kam dashur të ndjek, regji filmi dhe skenar. Skenari përputhet shumë mirë dhe me pasionin për letërsinë. Filmi më pëlqen shumë si formë e artit, e kam zhvilluar si pasion dhe si dëshirë që e vogël”.
Sindi i qaset rrjeteve sociale me maturi dhe vetëdije. Ajo qëndron aktive kryesisht në Instagram dhe Linkedin, por përpiqet të mos lejojë teknologjinë të ndërhyjë në kohën e saj personale apo me njerëzit e afërt. Për të, balanca mes jetës reale dhe asaj virtuale është thelbësore.
Nga ana tjetër, pasioni për të rinjtë dhe e ardhmja e tyre e ka shtyrë të angazhohet për disa vite në aktivizimin rinor, duke u përfshirë në politika që prekin arsimin, punësimin dhe mundësitë e barabarta për të rinjtë.
“Si një e re që së shpejti do të hyj në tregun e punës, i shoh këto tema edhe më nga afër”, thotë ajo me realizëm.
Kjo qasje e thellë sociale, e bën Sindin jo vetëm një autore të ndjeshme, por edhe një zë që reflekton dhe përfaqëson brezin e saj me përgjegjësi.

