KreuCelebrity

Ndahet nga jeta farmacisti i njohur shqiptar, Kolec Daja!

Farmacisti i njohur Kolec Daja, është ndarë nga jeta ditën e djeshme (6 gusht 2025). Daja ishte një prej figurave më të përkushtuara të farmacisë shqiptare, themelues i Farmaci “Daja” dhe udhëheqës frymëzues i një tradite familjare shumëbrezore në shërbim të shëndetit.

I lindur në Shkodër në vitin 1948 dhe diplomuar në degën e Farmacisë në Universitetin e Tiranës në vitin 1971, z. Daja shërbeu për më shumë se pesë dekada me ndershmëri, përkushtim dhe dashuri për profesionin. Nga Puka në Ministrinë e Shëndetësisë, nga drejtimi i Fu-Farmës në ngritjen e farmacisë së tij në Tiranë, ai mbeti gjithmonë një figurë model për kolegët, familjen dhe komunitetin.

Me vizion dhe përkushtim, ai themeloi Farmaci “Daja” në dhjetor 1997, duke kthyer pasionin në një vepër të qëndrueshme që vijon sot me krenari nga brezat pasardhës. Z. Daja ishte veçanërisht i njohur për pasionin dhe mjeshtërinë e tij në fushën e përgatitjeve galenike, duke ndjekur me rigorozitet dhe kujdes profesional të gjitha standardet farmaceutike për krijimin e preparateve të personalizuara galenike, e duke investuar vazhdimisht për të ofruar formulime të personalizuara për pacientin.

Laboratori i Farmaci Daja u kthye falë tij në një pikë referimi për kolegët dhe një burim besimi për mijëra pacientë ndër vite. Kujtimi i tij do të jetojë përmes trashëgimisë që la pas, jo vetëm në fushën e farmacisë, por edhe në zemrat e atyre që patën fatin ta njihnin.