
Elizaveta Krivonogikh, 22 vjeç, e njohur gjithashtu si Luiza Rozova, ka reaguar për herë të parë publikisht për presidentin rus, nëpërmjet disa postimeve enigmatike në rrjetet sociale. Në deklaratat e saj, ajo aludon për një figurë atësore që i ka “shkatërruar jetën”, duke e përshkruar si “njeriun që mori miliona jetë dhe shkatërroi timen”, raportoi The U.S. Sun.
Luiza, një artiste e diplomuar që jeton në Paris, nuk e përmend drejtpërdrejt Vladimir Putinin, por në kontekstin e spekulimeve të shumta për lidhjen e saj me të, postimet janë interpretuar gjerësisht si një kritikë e drejtpërdrejtë ndaj liderit të Kremlinit.
Në një tjetër postim emocional, ajo shkruan: “Është çliruese të jem në gjendje të tregoj përsëri fytyrën time. Më kujton kush jam… dhe kush ma shkatërroi jetën”.
Luiza lindi më 3 mars 2003 në Shën Petersburg dhe dyshohet të jetë fryt i një lidhjeje mes Putinit dhe Svetlana Krivonogikh, një ish-pastruese, e cila më vonë përfitoi pasuri të konsiderueshme. Dyshimet për identitetin e babait të saj u publikuan për herë të parë nga portali investigativ "Proekt" në vitin 2020, i cili ka qenë shpesh kritik ndaj Kremlinit. Raportimet e mëvonshme sugjerojnë se pasuria e papritur e nënës së saj mund të jetë rezultat i përpjekjeve për të blerë heshtjen e saj.


