

Në një ditë të nxehtë të kësaj vere, BORDO udhëtoi drejt Jugut të Shqipërisë për të sjellë atmosferën e vërtetë të stinës me një editorial, që ka si protagonist Marina Vjollcën, prezantuesen aq të pëlqyer nga publiku, e cila tashmë njihet edhe si sipërmarrëse; drejtuese e kompanisë "Elisabetta Franchi" për Shqipërinë dhe themeluese e brand-it të saj të produkteve të bukurisë MINE. Një udhëtim, që e shfaq Marinën në një stil krejt tjetër, në një "look" të krijuar nga stilistja Enada At’Nikolla, nën lenten e fotografit Renuar Loçaj.


Marina i rikthehet kopertinës pas viteve të gjata dhe shpresojmë që ky imazh i saj të përqafohet nga audienca. Po aq sa edhe rrëfimi i saj pa doreza, ku do të takoni vajzën e ëmbël, plot humor fin e zgjuarsi, që e bëri për vete audiencën që në sipërmarrjet e saj të mëdha televizive, siç ishte Top Fest, për të ardhur te programet që forcuan imazhin e saj dhe moderimin, ku “Kampionët” apo edhe “Shqipëria për Shqiptarët” janë dy programet e fundit, që rritën edhe më shumë popullaritetin e Marinës.

Në kopertinën e MEN këtë herë sjellim një nga artistët brilantë të botës së baletit, koreografin Brigel Gjoka, i cili ka prekur ndoshta më shumë se kushdo
skena nga Gjermania në Greqi, Francë, Singapor, Australi, Zvicër, Itali, plot 31 të tilla, e së fundmi në Kinë me shfaqjen “Negotiating Peace”. Një
bisedë frymëzuese, që artin e tij sot e prezanton për publikun shqiptar përmes fjalës, e me shpresë se një ditë do ta shohim dhe në skenat tona.
Personazhet e këtij numri janë dinamikë e plot aktualitet; personalitete si aktorja Zamira Kita që vjen në një rrëfim për dashurinë që ka për teatrin, në këtë jubile të 75-vjetorit të “Çajupit”, institucionit që ajo drejton prej vitesh; kompozitori shqiptaro-amerikan Fatrin Krajka gjithashtu ndan me ne krijimin e tij më të fundit “Silent Bridges”, i cili gjendet tashmë edhe në platformat digjitale; Imelda Molla, një vajzë shkodrane, e cila prej vitesh jeton në Zvicër, rrëfen botën e saj të ngjyrave përmes pikturave, si një pikëtakim me Zotin, pas një problemi shëndetësor, që e bëri të ndërronte në mënyrë drastike botën e saj, e që në fakt i rezultoi një realitet, më i bukur se sa kishte ëndërruar.

Botimi “100 Imazhe Kadare Në Artet Figurative” është një rast i rrallë në historinë botërore, ku një shkrimtar, si Gjeniu i Letrave Shqipe, i dedikohet një projekt
artistik i tillë. Projekt që erdhi në jetë nga një iniciativë personale e botuesit Henri Çili. Ndërsa shkrimtarja e re Sindi Tona na çon në rrugët e Parisit, aty ku personazhet e librit të saj të ri njohin vetveten, por edhe një botë plot të papritura.


Në rubrikën Metropol, tre instruktorë palestre ndajnë eksperiencat e tyre në kërkim të frymëzimit për një jetë të shëndetshme. Ata janë: Armando Hidi, Eri Lazaj dhe Marin Camaj. Përmes faqeve trend, tendenca, stil jetese sjellim propozime për sezonin, por edhe destinacione, që duhet t'i eksploroni. Shijojeni këtë numër të BORDO-së, i cili këtë herë nuk është thjesht një shfletim në plazh poshtë çadrës në shezlon, por një motivim i madh për t’u frymëzuar për ditët që do të vijnë!
