
Prokurorët federalë në SHBA janë shprehur kundër kërkesës për lirimin me kusht të reperit të njohur Sean “Diddy” Combs, e cila u paraqit disa ditë më parë nga ekipi i tij ligjor. Ndërkohë, shpallja e dënimit të tij pritet të bëhet më 3 tetor.
Sipas dokumenteve gjyqësore të depozituara më 31 korrik në një gjykatë federale në Manhattan, prokurorët theksojnë se Diddy mund të përballet me një dënim burgimi “dukshëm më të lartë” se sa vlerësimi fillestar prej katër deri në pesë vjet.
Kjo pason dënimin e tij për dy akuza që lidhen me transportimin e personave për qëllime të pamoralshme.
Në fillim të korrikut, 55-vjeçari u shpall i pafajshëm për akuzat e krijimit të një organizate kriminale dhe trafikimit seksual, akuza që mund t’i kishin sjellë burgim të përjetshëm, por u shpall fajtor për veprimtari që përfshijnë transportimin e grave dhe burrave që punonin në industrinë e seksit, për takime të cilat ai i regjistronte në video. Çdo akuzë mbart një dënim maksimal prej 10 vitesh burg.
Fillimisht, prokurorët sugjeruan se sipas udhëzimeve federale për dënimet, dënimi i tij do të ishte midis katër dhe pesë vjetësh. Por më 31 korrik ata deklaruan se tani presin që “shkalla e udhëzimeve të jetë ndjeshëm më e lartë”.
Gjyqtari Arun Subramanian ka autoritet të gjerë për të përcaktuar dënimin përfundimtar dhe mund të anashkalojë udhëzimet, pasi ato nuk janë të detyrueshme. Avokatët e Combs pretendojnë se dënimi i drejtë, sipas llogaritjeve të tyre, do të duhej të ishte mes 21 dhe 27 muajsh.
Kundërshtimi ndaj lirimit me kusht dhe kushtet e paraburgimit
Kërkesa për lirimin me kusht me garanci 50 milionë dollarë u refuzua nga gjykata ditën e shpalljes së vendimit të jurisë. Gjyqtari vendosi se Combs nuk arriti të provojë “qartë dhe bindshëm” se nuk përbën rrezik për ndonjë person apo për komunitetin.
Avokati mbrojtës Mark Agnifilo riktheu kërkesën disa ditë më parë, duke cituar raste të ngjashme ku të pandehur të dënuar për akuza të ngjashme ishin lënë të lirë me kusht.
Ai shtoi gjithashtu se kushtet në Qendrën Federale të Paraburgimit në Brooklyn, ku mbahet Diddy që prej arrestimit në shtator, janë të ashpra dhe jo të përshtatshme.
Avokati përmendi gjithashtu se klienti i tij po trajtohet në mënyrë të padrejtë për shkak të “jetës së tij si pjesë e komunitetit të swingers”, duke thënë se ai dhe partnerët e tij kanë përfshirë punëtorë seksi në marrëdhënie të gjata seksuale me pëlqim.
Prokurorët theksuan se për akuzat që lidhen me prostitucionin, paraburgimi është i detyrueshëm deri në dhënien e dënimit, përveç rasteve të jashtëzakonshme, çka, sipas tyre, nuk është ky rast.
Në kundërpërgjigje ndaj pretendimeve për përmirësim të kushteve në paraburgim, ata sqaruan se situata është përmirësuar ndjeshëm që para arrestimit të Combs, dhe krahasimet që bën mbrojtja me raste të tjera nuk janë të barasvlershme, për shkak të natyrës së dhunshme të veprimeve të tij.
