
Reperi dhe producenti i njohur amerikan, Sean “Diddy” Combs, ka paraqitur një kërkesë të re për lirim me kusht, vetëm pak javë para seancës së dënimit të tij të planifikuar më 3 tetor.
Lajmi është konfirmuar nga dokumente të siguruara nga TMZ, të cilat detajojnë arsyet ligjore mbi të cilat ekipi mbrojtës po ndërton këtë mocion të ri.
Sipas avokatëve të tij, Mark Anifillo dhe Tenny Geragos, Diddy është i vetmi person në Shtetet e Bashkuara që mbahet në paraburgim për “punësimin e eskortave meshkuj për të kryer marrëdhënie seksuale me të dashurën e tij.”
Ata theksojnë se klienti i tyre është viktimë e një interpretimi të ngurtë të Aktit Mann, një ligj federal mbi trafikimin që daton që nga viti 1910 dhe që, sipas tyre, nuk pasqyron më realitetet sociale të sotme.
Diddy u shpall fajtor për shkelje të këtij ligji, megjithëse ai u lirua nga akuzat më serioze si organizim kriminal dhe trafikim njerëzor. Megjithatë, ai mbetet në burg për shkak të një vendimi të gjykatës, e cila e konsideroi si rrezik potencial për publikun, bazuar në sjellje të mëparshme të dhunshme.
Në mocionin e tyre të fundit, avokatët e Combs deklarojnë se marrëdhëniet në fjalë ishin konsensuale dhe përfshinin vetëm të rritur: Diddy, partnerja e tij e atëhershme Cassie Ventura dhe një tjetër grua, identiteti i së cilës nuk është bërë publik.
Ata pohojnë se marrëdhëniet kishin natyrë “swinger” dhe ishin pjesë e një stili jetese privat, ndërsa Diddy vetë nuk ka pasur marrëdhënie të drejtpërdrejta me eskortat meshkuj të përfshirë.
Mbrojtja gjithashtu i referohet ndryshimeve të qëndrimeve të shoqërisë ndaj seksualitetit dhe marrëdhënieve jo tradicionale, duke theksuar se rasti i klientit të tyre nuk përbën asnjë rrezik publik apo trafikim në kuptimin klasik të ligjit.
Deri në vendimin përfundimtar të gjykatës, Diddy mbetet në paraburgim. Seanca e dënimit pritet të zhvillohet më 3 tetor dhe do të përcaktojë nëse mocioni i ri për lirim me kusht do të pranohet apo refuzohet nga gjykatësi.
