KreuCelebrity

Drama vazhdon, ish-CEO i Astronomer planifikon të padisë Coldplay!

 

Andy Byron, ish-drejtori ekzekutiv i kompanisë Astronomer, po shqyrton mundësinë e ngritjes së një padie ndaj grupit Coldplay, pasi dyshohet se gjatë një koncerti të tyre, ai ka kapur të dashurën e tij, Kristin Cabot, drejtoreshë e burimeve njerëzore në të njëjtën kompani, duke u puthur me dikë tjetër, teksa skena është filmuar nga kamerat e eventit.

Sipas burimeve pranë Byron-it, të cituara nga New York Post, padia e mundshme do të mbështetet në pretendime për “shkelje të privatësisë” dhe “shqetësim emocional”, si pasojë e sikletit publik që ai ka përjetuar. Sipas tabloidit, Byron pretendon se nuk ka dhënë pëlqim për t’u filmuar dhe ndihet si "viktimë e poshtërimit publik", duke shtuar se kjo situatë e ka shndërruar në një meme që po qarkullon në rrjet.

Ekspertët ligjorë të konsultuar nga gazeta shprehen skeptikë për suksesin e mundshëm të padisë së Andy Byron ndaj Coldplay, duke vlerësuar se shanset janë të pakta.

Coldplay ende nuk ka reaguar zyrtarisht ndaj kërcënimit për padi. Ndërkohë, kolumnisti i njohur i thashethemeve, Rob Shuter, citon burime pranë grupit që tregojnë se Chris Martin “ka qeshur me të madhe” kur mësoi për pretendimet ligjore që pasuan incidentin me të ashtuquajturën “kamera e puthjes”. Siç theksojnë edhe ekspertët ligjorë, pavarësisht zhurmës mediatike, padia duket e pabazë dhe vështirë se do të ketë sukses në gjykatë.

Pas dorëheqjes së Byron nga posti i CEO te Astronomer, shpërthyen polemika pasi e dashura e tij, Kristin Cabot, vazhdonte të mbante funksionin si drejtoreshë e burimeve njerëzore. Megjithatë, vetëm pak ditë pas publikimit të videos virale që e bëri incidentin publik në shkallë globale, edhe ajo vendosi të largohej nga kompania. Astronomer njoftoi se kishte hapur një hetim të brendshëm për situatën, i cili përfundoi me emërimin e përkohshëm të bashkëthemeluesit dhe shefit të produktit, Pete DeJoy, në postin e CEO-së.