
Portieri i Kombëtares shqiptare, Thomas Strakosha, po kalon një verë të mbushur me dashuri dhe harmoni familjare. Pas një sezoni të suksesshëm me AEK-un në Greqi dhe paraqitjeve të mira me fanellën kuqezi, Strakosha ka vendosur t’i përkushtohet pushimeve dhe… zemrës!
Prej disa javësh, ai është parë në shoqërinë e një vajze misterioze, e cila tashmë nuk është më një sekret. Çifti ka publikuar vazhdimisht momente romantike në rrjete sociale, duke zbuluar një lidhje të re, që duket se është më shumë sesa një flirt veror.

Në imazhet e fundit të publikuara nga vetë Thomas, shihet se partnerja e re është bërë pjesë edhe e pushimeve familjare. Aty shfaqet babai i tij, legjenda e portës shqiptare, Foto Strakosha, bashkëshortja e tij dhe djali tjetër i familjes – ndërsa në çdo moment pranë tyre ndodhet edhe vajza greke që i ka rrëmbyer zemrën Thomasit.
Edhe pse identiteti i saj nuk është i njohur për publikun dhe ajo nuk është personazh i famshëm, prania e saj në krah të portierit në çdo udhëtim, darkë apo ditë në jaht, flet për një marrëdhënie tashmë të konsoliduar.

Kujtojmë se kjo nuk është hera e parë që Strakosha publikon partneren në rrjete sociale. Më shumë se një vit më parë, ai ishte në një lidhje me modelen Esther Adjoa Asiedu, të cilën e prezantoi si “nusen e shtëpisë”, por kjo histori i përket të shkuarës.
Tashmë, duket se portieri simpatik e ka mbyllur një kapitull dhe ka nisur një të ri – dhe sipas gjithë shenjave, historia e tij e re e dashurisë po ecën me hapa të sigurt.
