KreuCelebrity

Macron padit Candace Owens për shpifje: Influencerja amerikane akuzohet për përhapje të teorive konspirative ndaj Brigitte Macron

Macron padit Candace Owens për shpifje: Influencerja amerikane akuzohet
Presidenti i Francës, Emmanuel Macron, dhe bashkëshortja e tij, Brigitte Macron, kanë ngritur një padi për shpifje ndaj influencers amerikane Candace Owens, për shkak të përhapjes së një lajmi të rremë që pretendon se Brigitte “ka lindur burrë”. Padia është depozituar në një gjykatë të shtetit Delaware në SHBA dhe shënon një reagim të fortë nga çifti presidencial ndaj një teorie konspirative që po qarkullon prej vitesh, por që kohët e fundit ka marrë përmasa ndërkombëtare.

Teoria në fjalë, e cila fillimisht u shfaq në Francë pas zgjedhjes së parë të Macron më 2017, riktheu vëmendjen globale në mars të vitit 2024, kur Candace Owens publikoi një seri videosh me titull “Becoming Brigitte”, duke përhapur pretendimin e rremë se Brigitte Macron është në fakt vëllai i saj, Jean-Michel, pas një ndryshimi gjinie.

Sipas dokumenteve të padisë, avokatët e çiftit Macron theksojnë se Candace Owens ishte plotësisht e vetëdijshme për pavërtetësinë e këtyre pretendimeve, por nuk ka ndërmarrë asnjë hap për të tërhequr apo korrigjuar përmbajtjen. Përkundrazi, ajo ka vijuar të promovojë narrativën në mënyrë të përsëritur, duke i dhënë asaj jehonë të madhe përmes platformave të saj me miliona ndjekës – 6.9 milionë në X (ish-Twitter) dhe 4.7 milionë në YouTube.

Padia e cilëson veprimin e Owens si një “fushatë shpifëse sistematike”, që ka dëmtuar rëndë nderin dhe imazhin e Brigitte Macron, si dhe ka cenuar jetën private të familjes presidenciale franceze. Avokatët kërkojnë një shumë “shembullore” dëmshpërblimi, e cila pritet të përcaktohet gjatë procesit gjyqësor.

Ndërkohë, në Francë, dy gra që ndihmuan në përhapjen fillestare të teorisë – Natasha Rey dhe Amandine Roy – u shpallën të pafajshme në apel më 10 korrik 2025, pasi fillimisht ishin dënuar me gjobë nga drejtësia franceze.

Çështja po ndjek tani një trajektore ndërkombëtare dhe pritet të ngrejë debat mbi kufijtë e lirisë së shprehjes dhe përgjegjësinë ligjore të personazheve publikë në përhapjen e informacionit të rremë në rrjetet sociale.