Teutë Rugova, ish-deputete dhe vajza e vetme e presidentit historik të Kosovës, Ibrahim Rugova, është martuar ditën e djeshme në një ceremoni të veçantë familjare. Ajo ka kurorëzuar dashurinë me partnerin e saj, Agron Gjeloshi, djali i aktivistit të njohur Nik Gjeloshi, në “Rezidencën Rugova”, shtëpia familjare në Prishtinë, duke e bërë këtë moment edhe më domethënës për çiftin dhe familjen.

Lajmin e bukur e ka bërë publik kunata e saj, stilistja e njohur Blerina Kllokoqi Rugova, përmes disa fotografive të publikuara nga ceremonia, ku çifti shfaqet i lumtur dhe i emocionuar. Kurorëzimi është kryer nga kryetari i Komunës së Prishtinës, Përparim Rama, i cili ishte i pranishëm për të zyrtarizuar këtë ditë të rëndësishme për çiftin.

Ceremonia intime mblodhi rreth vetes familjarë dhe miq të afërt, duke ruajtur një atmosferë të ngrohtë e të respektueshme, në nder të figurës dhe trashëgimisë së presidentit Rugova.


