
Pak javë përpara ndarjes nga jeta, legjenda e muzikës rock, Ozzy Osbourne, po përgatitej me përkushtim për koncertin e tij të fundit “Back To The Beginning”. Një rikthim simbolik në skenë, që përfaqësonte jo vetëm një përmbyllje të karrierës, por edhe përpjekjen e fundit për të qëndruar aty ku ndjehej më i gjallë se kurrë.
Në muajt e fundit të jetës, gjendja shëndetësore e Ozzy-t ishte përkeqësuar ndjeshëm. Edhe pse ende nuk është dhënë një konfirmim zyrtar për shkakun e vdekjes, dyshohet se këngëtari vuante nga probleme kardiake. Ai përdorte çdo ditë një pajisje monitoruese që i matiste ritmin e zemrës dhe tensionin e gjakut deri në 15 herë në ditë. “Stërvitem çdo ditë. Nuk përdor më asnjë pilulë gjumi. Kam një pajisje në gisht që regjistron çdo rrahje zemre”, kishte treguar ai në një intervistë për Sirius XM në fund të majit. Me humorin e tij të errët që e karakterizonte, shtoi: “Po jetoj ditë pas dite. Pyete atë lart. Në rastin tim, më mirë pyet atë poshtë.”
Koncerti “Back To The Beginning”, ideuar nga bashkëshortja e tij Sharon Osbourne, u mendua si një lamtumirë simbolike me publikun dhe rezultoi të ishte vërtet e fundit. Më pak se tre javë pas performancës, Ozzy u nda nga jeta, duke lënë pas një trashëgimi të pavdekshme në historinë e rock-ut.


