
Një valë e re infeksionesh me virusin chikungunya, i transmetuar nga mushkonjat, po përhapet me shpejtësi nga Azia dhe Afrika drejt Evropës, duke ngritur alarmin tek autoritetet shëndetësore. Virusi, që në raste të rralla mund të shkaktojë edhe encefalit fatal, ka nisur përhapjen në fillim të këtij viti nga tre ishuj në Oqeanin Indian dhe tashmë është regjistruar në disa shtete evropiane.
Franca ka raportuar si raste të importuara ashtu edhe vendase, ndërsa një rast i konfirmuar së fundmi në Itali ka shtuar shqetësimet për përhapjen e mëtejshme të sëmundjes. Ekspertët kujtojnë epideminë e viteve 2004-2005, ku chikungunya infektoi afro gjysmë milioni persona në mbarë botën.
Virusi transmetohet nga mushkonjat e gjinisë Aedes, veçanërisht Aedes albopictus e njohur ndryshe si “mushkonja tigër”, dhe Aedes aegypti, e cila është tashmë prezente në Qipro, por ende jo në pjesën tjetër të kontinentit.
Simptomat përfshijnë temperaturë të lartë, skuqje në lëkurë dhe dhimbje të forta të kyçeve që mund të zgjasin për muaj apo vite. Në raste të rralla, pacientët përjetojnë komplikacione neurologjike si encefaliti apo sindroma Guillain-Barré.
Aktualisht nuk ekziston një trajtim specifik, ndaj parandalimi përmes masave mbrojtëse është thelbësor.
Organizata Botërore e Shëndetësisë konfirmon se dy vaksina kundër chikungunya-s janë miratuar në disa vende, por përdorimi i tyre në shkallë të gjerë ende nuk është rekomanduar, për shkak të mungesës së të dhënave të mjaftueshme mbi efikasitetin.
Ekspertët këshillojnë qytetarët të mbrohen nga mushkonjat përmes repelentëve, veshjeve të gjata, rrjetave mbrojtëse në dritare dhe eliminimit të ujërave të ndenjura, që shërbejnë si vende shumimi për insektet.
