KreuCelebrity

Përkeqësohet gjendja shëndetësore e Bruce Willis, ylli i Hollywood humb aftësinë për të folur dhe lëvizur!

Përkeqësohet gjendja shëndetësore e Bruce Willis, ylli i
Gjendja shëndetësore e aktorit legjendar, Bruce Willis, ka shënuar një përkeqësim të rëndë, sipas një raporti të ri të publikuar nga britanikja Express.

70-vjeçari, i cili u tërhoq nga aktrimi në vitin 2022 pas diagnostikimit me afazi, tashmë ndodhet në një fazë të avancuar të demencës frontotemporale, një sëmundje neurodegjenerative që prek funksionet bazë të trurit.

Sipas raportimit, aktori nuk është më në gjendje as të flasë e as të ecë, dhe nuk arrin të kujtojë sukseset e tij të mëdha kinematografike nga vitet ’90 dhe 2000, që e shndërruan në një nga yjet më të dashur të filmave aksion në mbarë botën.

Burime të afërta me familjen thonë se Willis është thuajse plotësisht joverbal dhe përballet me probleme serioze në lëvizje, ndërsa nuk është dhënë ndonjë përditësim zyrtar i detajuar mbi përkeqësimin e gjendjes së tij.

Edhe pse në prill të këtij viti familja e tij kishte deklaruar se gjendja ishte “e qëndrueshme”, sipas Express, përditshmëria e aktorit tani është shumë e kufizuar, për shkak të ndikimit të sëmundjes në zonat e trurit që lidhen me personalitetin, sjelljen dhe gjuhën.

Kohët e fundit, vajza e tij, Tallulah Willis, publikoi disa foto të të atit në rrjetet sociale, ku ai shfaqej dukshëm i dobësuar. Ndonëse imazhet shkaktuan reagime, ajo mbrojti vendimin e saj duke e cilësuar si një akt dashurie dhe ruajtjeje të kujtimeve familjare.

Përballë mungesës së deklaratave zyrtare, këto foto mbeten një nga të paktat dëshmi vizuale për gjendjen e tij aktuale.

Bruce Willis u tërhoq nga aktrimi fillimisht për shkak të afazisë, një çrregullim neurologjik që ndikon në aftësinë për të komunikuar. Më pas, diagnoza u shndërrua në demencë frontotemporale, një sëmundje që vazhdon të avancojë, duke i marrë gradualisht kujtimet dhe identitetin që ndërtoi përgjatë katër dekadave në skenën kinematografike.

Me role ikonike në filma si Die Hard, Pulp Fiction dhe The Sixth Sense, humbja e kujtimeve nga këto vepra i jep një dimension edhe më të dhimbshëm betejës së tij, për të dhe për familjen e tij që qëndron pranë në çdo hap.