
Në një seancë gjyqësore të tensionuar, Gjykata ka lëshuar urdhër arresti ndaj Atilla Kardesh, ish-banorit të edicionit të tretë të Big Brother VIP Kosova, i cili është përfshirë në një proces ligjor me ish-bashkëshorten e tij, Drenusha Latifi.
Vendimi u mor pas mungesës së Kardesh në seancën e mbajtur dje, e cila përfundoi rreth orës 13:40. Avokati i tij deklaroi se klienti ishte detyruar të udhëtonte për në Suedi për çështje që lidhen me nënshtetësinë.
“Para tre ditësh më telefonoi dhe më njoftoi se duhej të udhëtonte në Suedi për të rregulluar disa dokumente për nënshtetësinë,” tha ai. Megjithatë, avokati pranoi se nuk kishte marrë asnjë dëshmi që ta paraqiste në gjykatë. “Deri në këtë moment, nuk më ka dorëzuar asnjë provë për këtë udhëtim,” shtoi ai.

Ndërkohë, përfaqësuesja ligjore e Drenusha Latifit kundërshtoi ashpër pretendimin e mbrojtjes, duke e cilësuar si të pabazë. Sipas saj, Atilla Kardesh është shtetas i dyfishtë, i Suedisë dhe Kosovës dhe nuk ka asnjë pengesë ligjore lidhur me nënshtetësinë. Ajo tha se kjo është konfirmuar edhe nga vetë klientja e saj, duke e përjashtuar këtë arsye si të vlefshme për mungesën e tij në seancë.
Në përmbyllje të seancës, gjykata vendosi shtyrjen e procesit për më 25 shtator 2025, në ora 09:30. Për shkak të mungesës së pajustifikuar, ndaj të pandehurit Atilla Kardesh është lëshuar urdhër arrest. Gjykata gjithashtu bëri të ditur se data e re e seancës zëvendëson thirrjet zyrtare që zakonisht u dërgohen palëve.


