
Ozzy Osbourne, legjenda e heavy metal-it dhe ikonë e kulturës pop globale, u nda nga jeta më 22 korrik 2025, në moshën 76-vjeçare, pas një beteje të gjatë me sëmundjen e Parkinsonit.
Lajmi i ndarjes së tij u konfirmua për gazetën The Sun në një deklaratë prekëse:
“Me një dhimbje të pamasë njoftojmë se Ozzy ynë i dashur ndërroi jetë mëngjesin e sotëm, i rrethuar nga familja. Ju lutemi që të respektoni privatësinë tonë në këtë moment të vështirë.”
Trashëgimia e Osbourne është e jashtëzakonshme – si në aspektin kulturor, ashtu edhe në atë financiar. Me një pasuri të vlerësuar në 220 milionë dollarë, ai la pas një karrierë pesëdekadëshe që shënjoi jo vetëm historinë e muzikës, por edhe televizionin dhe industrinë e performancave live. Rruga e tij drejt famës nisi me grupin legjendar Black Sabbath, për të vazhduar më pas me një karrierë solo të jashtëzakonshme, gjatë së cilës shiti miliona disqe. Në vitin 1996, ai krijoi Ozzfest, një turne muzikor që gjeneroi mbi 100 milionë dollarë të ardhura dhe shiti më shumë se pesë milionë bileta në mbarë botën.
Përveç muzikës, Osbourne shënoi një kthesë kulturore me reality show-n The Osbournes (MTV, 2002), i cili transformoi televizionin dhe e bëri atë të njohur për një brez të ri fansash. Familja fitoi 800,000 dollarë në sezonin e parë dhe 5 milionë dollarë për secilin anëtar në sezonin e dytë.
Gruaja e tij, Sharon, dhe fëmijët Jack dhe Kelly, bashkë me marrëveshjet për reklamim, licencim dhe të drejtat e botimit, ndihmuan në ndërtimin e një perandorie biznesi që kapte vlerën e 251 milionë dollarëve. Edhe pse shëndeti i tij ishte përkeqësuar vitet e fundit, Ozzy nuk e humbi kurrë ndikimin e tij në skenën botërore.


