KreuCelebrity

Pjesë e një filmi? Cover girl, Danja Koka zbulon projektet për sezonin e ri! EKSKLUZIVSHT PËR BORDO

 

Fuqia e televizionit është e tillë, që ose të ngre dhe të bën yll, ose të ul dhe të mbyll karrierën në ekran. Nëse ti je i aftë të përcjellësh më të mirën tënde, publiku e dallon dhe e vlerëson. Në formatin “Big Brother VIP” shpesh modeli agresiv, luftarak, stili përça e sundo, ka dominuar më shumë audiencën, (pasi debati, sherri prodhon shikime, komente dhe vëmendje), ndryshe nga Danja Koka modelja e njohur, e cila solli versionin më pozitiv të vajzës në shtëpinë e famshme, që me butësi, argument dhe mirësi mund të fitosh një çmim, që nuk konvertohet në para, por në një dashuri të madhe, që vijon edhe sot pas 3-muajsh nga përfundimi i reality-show-t të famshëm. Danja Koka meriton një duartrokitje për imazhin e vajzës që ofroi, i cili duhet të jetë frymëzues për këdo që aspiron famën. Pak ditë para se të realizonim këtë intervistë për kopertinën e BORDO, Danja prezantoi suksesshëm spektaklin “Yjet e diasporës”, në prime në Top Channel. Një sprovë, që duket se i ka hapur rrugën për të vijuar moderimin, dhe siç tregon ekskluzivisht për revistën, sezoni i ri do ta gjejë me programin e saj. Ambiciet e Danjës janë më shumë se kaq. Mes modelimit, prezantimit vjen edhe një projekt tjetër. Ai i një filmi, ku do ta gjejë Danjën diellore si aktore. Është koha e Danjës. Të korrë, çfarë mbolli! Ne celebrojmë pikërisht suksesin e saj, në këtë numër të BORDO, fotot e të cilës janë frymëzuar pikërisht nga vetë ajo! Shijoni këtë intervistë të thjeshtë dhe shumë të vërtetë, dhe mendoni edhe ju për një çast, sikur të mund të ishit një DANJË! 

Danja, rikthehesh në kopertinën e BORDO-së, pas gati 3 vitesh. Si ka qenë jeta jote në këto tre vite? 

Oh, e dua shumë BORDO-në! Kanë qenë 3 vite plot intensitet, photoshootings, sfilata dhe kohët e fundit, televizion. 

Kur kthen kokën pas, cili është kujtimi yt më i bukur? 

Kam shumë kujtime të bukura. Do të veçoj një gjithsesi dhe ai ka qenë momenti kur lindi mbesa ime Hevën. Provova për herë të parë ndjesinë që të japin lotët e gëzimit. 

Po më i trishtë? 

Kam një mendje të mençur (pa modesti e them këtë), pasi i fshi nga memoria momentet e dhimbjes. 

Si e sheh veten në vijim Danja, do të jesh pjesë e sezonit të ri me një program tëndin? 

Bashkë me shtatorin vjen një sezon i ri dhe së bashku me këtë sezon të ri, vij edhe unë (qesh)! 

Modelimi është për ty një cikël që po e mbyll, apo një cikël që nuk do të mbyllet kurrë? 

Modelimi është një cikël që nuk do ta mbyll kurrë. Është pasion i madh. 

 

Mes modelimit dhe prezantimit, kë do të zgjidhje? 

Nuk i ndaj dot. Tani që provova moderimin mendoj që është një emocion i veçantë. Për momentin fokusin e kam te moderimi. 

Ke një ëndërr? Diçka që e aspiron ta realizosh? 

Kam ëndërr të realizoj një film. Kam dhe idenë e skenarit, që patjetër duhet përshtatur nga një profesionist. Por, besoj se shumë shpejt do të më shihni protagoniste në një film. 

Një kontratë apo sfilatë ëndrrash? Kush do të ishte? 

Kontrata patjetër që po, sfilata do të dojë pak kohë.