KreuCelebrity

Mbahet të mërkurën ceremonia mortore e legjendës Ozzy Osbourne në vendlindjen e tij në Birmingham!

Mijëra adhurues të Ozzy Osbourne do të kenë mundësinë t’i bëjnë nderimet e fundit një prej ikonave të muzikës heavy metal. Trupi i artistit do të përcillet nesër, të mërkurën më 30 korrik, në qytetin e tij të lindjes, Birmingham. Ceremonia do të nisë në orën 15:00 dhe do të kalojë përgjatë Broad Street, me një ndalesë simbolike te “Ura e Black Sabbath”, ku ndodhet edhe stoli i njohur që i është kushtuar grupit legjendar.

Qindra fansa kanë vendosur tashmë lule dhe mesazhe pranë këtij vendi simbolik. Përcjellja ceremoniale do të transmetohet drejtpërdrejt përmes një livestream-i pikërisht në vendndodhjen e stolit të Black Sabbath.

“Do t’i japim lamtumirën e fundit një prej legjendave të gjalla të Birmingham-it,” u shpreh kryetari i bashkisë, Zafar Iqbal, për BBC.

Kryetari i bashkisë e përshkroi Ozzy Osbourne si “djalin e Birmingham-it”, duke theksuar se “ai e vendosi qytetin dhe lagjen Aston në hartën botërore.” Ali Zaman, banori aktual i shtëpisë së fëmijërisë së Osbourne në Aston, bëri të ditur se ka pranuar mijëra mesazhe nga admirues në të gjithë botën. Ai ka krijuar një adresë të posaçme emaili për t’i arkivuar këto kujtime, me synimin për të ngritur një arkivë publike online.

Ndërkohë, një peticion për të riemërtuar aeroportin e Birmingham-it në “Ozzy Osbourne International Airport” ka mbledhur mbi 46,000 nënshkrime. Një përfaqësues i aeroportit bëri të ditur se po shqyrtohen mundësi për të nderuar trashëgiminë e tij. Ceremonia do të shoqërohet nga orkestra frymore vendase Bostin’ Brass dhe muzikanti britanik Yungblud. Mediat, përfshirë The Guardian, raportojnë se anëtarët e mbetur të gjallë të Black Sabbath pritet të kenë një rol të veçantë në procesion.

Pas ceremonisë publike në qendër të Birmingham-it, do të zhvillohet një ceremoni private varrimi, e rezervuar për familjarët dhe miqtë më të ngushtë. Familja Osbourne ka marrë përsipër të gjitha shpenzimet e organizimit. Sharon Osbourne, së bashku me fëmijët Kelly dhe Jack, do të marrin pjesë në procesion, por nuk janë dhënë detaje të tjera nga familja. Autoritetet lokale kanë marrë masa të veçanta për qarkullimin dhe sigurinë, për të garantuar një zhvillim dinjitoz të ceremonisë.

Rruga Broad Street do të jetë e mbyllur që nga ora 07:00 e mëngjesit të së mërkurës, ndërsa linjat e autobusëve dhe tramvajve do të devijohen në itinerare alternative.

Këshilli bashkiak deklaroi se ka bashkëpunuar ngushtë me familjen për organizimin e ngjarjes, e cila është financuar tërësisht nga familja Osbourne.

Fansat do të kenë mundësinë të nënshkruajnë librin e ngushëllimeve në Muzeun dhe Galerinë e Arteve të Birmingham-it, ku aktualisht është e hapur ekspozita “Ozzy Osbourne: Heroi i Klasës Punëtore”, e inauguruar nga Sharon Osbourne.