
E veshur me të zeza dhe me lot në sy, Sharon Osbourne u shfaq në Birmingham, duke ndjekur arkëmortin që mbante trupin e bashkëshortit të saj, Ozzy Osbourne. E shoqëruar nga fëmijët e tyre, gruaja e këngëtarit legjendar doli nga automjeti dhe la lule në "Black Sabbath Bridge", në vendin ku ndodhet stoli i dedikuar grupit që ndryshoi historinë e muzikës.
Sharon, gruaja dhe menaxherja e Ozzy-t për më shumë se katër dekada, ka qenë gjithmonë pranë tij - si në karrierën ashtu edhe në momentet e vështira jetësore. Në fazën e fundit të jetës së tij, kur Ozzy ishte tërhequr nga sfera publike për shkak të problemeve shëndetësore, ajo u shfaq në vend të tij: dha intervista, u takua me fansat dhe përcolli kudo emocionet e tyre për kthimin në Birmingham.
View this post on Instagram
Ceremonia e përcjelljes në banesën e fundit të Ozzy Osbournes do të mbahet në një rreth rreptësisht privat, me të pranishëm vetëm të afërm dhe miq të ngushtë.
Kur ishte gjallë, Ozzy Osbourne ka folur me emocion për rolin kyç të gruas së tij, Sharon. Në një intervistë të mëparshme me producentin muzikor Billy Pinnell në Melbourne, ai kishte thënë: Thonë se pas çdo burri të madh qëndron një grua e madhe - dhe në rastin tim kjo është absolutisht e vërtetë. Nëse nuk do ta kisha gruan time pranë, nuk do të isha këtu - pa dyshim. Nuk do të isha gjallë. Ajo më shpëtonte jetën çdo ditë.
Ozzy dhe Sharon u martuan në Hawaii më 4 korrik 1982 dhe patën tre fëmijë: Amy, Kelly dhe Jack. Nga martesa e tij e parë me Thelma Riley, ai pati edhe tre fëmijë të tjerë: Elliot, Jessica dhe Louis.
