KreuCelebrity

E lindur në Fier, Eleni Foureira flet për emigrimin në Greqi: Nëna ime rriti 4 fëmijë pa para...

 

Këngëtarja shqiptare Eleni Foureira foli për nënën e saj dhe vështirësitë që ajo hasi pasi emigroi nga Shqipëria në Greqi, duke i vlerësuar mundin për rritjen e 4 fëmijëve, edhe pse në kushte të vështira financiare. Këngëtarja foli se sa shumë i ndryshoi perceptimi për prindërimin pas lindjes së djalit të saj, Hermes, dhe sa më thellë e kuptoi vlerën e nënës së saj.

E ftuar në një emision grek, Eleni Foureira shpjegoi se që nga momenti që lindi djali i saj, ajo arriti ta kuptonte nënën e saj, Marjetën, e cila e rriti atë dhe vëllezërit e motrën e saj në mënyrën më të mirë të mundshme, pavarësisht vështirësive që ajo hasi.

"Gjithmonë e kam dashur mamin tim, e respektoj, e kam pasur si heroinën time. Ajo rriti katër fëmijë në rrethana shumë të vështira,"- tha ajo. Pastaj, ajo shtoi: Rreth një muaj pasi linda, i thashë se nuk mund ta besoja që kishte rritur katër fëmijë, pa para. Mbaj mend që nuk kisha me çfarë të luaja, asaj i duhej që të qepte rrobat tona. Nuk mund ta besoja që na kishte rritur kaq mirë, me kaq shumë durim. Atëherë e kuptova sa shumë më do mami im, është e mrekullueshme. Nuk ka dashuri të tillë.

Këngëtarja foli edhe për "transformimin" që i solli amësia dhe lindja e djalit të saj.

"Unë jam përgjithësisht spontane. Që nga momenti që djali im erdhi në jetën time, kuptova sa më spontane isha dikur dhe si humbet e gjithë kjo me kalimin e viteve. Pra, që kur erdhi Hermes, jam përpjekur të bëhem përsëri fëmijë me të. Ti piqesh përmes gjithë kësaj. Është një ndjenjë e mrekullueshme, nuk mendoj se krahasohet me asgjë tjetër në botë. Mësova të dua, do të flas për veten time. Mësova se çfarë është dashuria pa interes,"-shtoi ajo.

Eleni Foureira është një nga emrat më të njohur në muzikën pop në Greqi dhe rajon, por historia e saj ka rrënjë të thella shqiptare. Ajo lindi më 7 mars 1987 në Fier, Shqipëri, me emrin e lindjes Entela Fureraj. Familja e saj emigroi në Greqi në fillim të viteve ’90, duke u përballur me vështirësi të shumta për shkak të paragjykimeve ndaj shqiptarëve emigrantë.

Për një kohë të gjatë, Eleni nuk e kishte pranuar publikisht origjinën e saj shqiptare, një vendim që ndikohej nga klima e vështirë sociale në Greqi, ku shpesh diskriminoheshin artistët me prejardhje shqiptare. Megjithatë, vite më vonë ajo e pranoi hapur origjinën e saj, duke u bërë një figurë që simbolizon tejkalimin e barrierave kulturore dhe suksesin përtej paragjykimeve. Eleni Foureira sot shihet jo vetëm si një yll i pop-it ballkanik dhe evropian, por edhe si një histori suksesi që sfidoi paragjykimet dhe ndërtoi një identitet artistik që bashkon dy kultura: shqiptare dhe greke.