
Ajo është bërë një emër i njohur në fushën e fitnesit, veçanërisht mes figurave publike që i besojnë jo vetëm për formësimin fizik, por edhe për përmirësimin e mirëqenies së tyre të përgjithshme. Eri Lazaj është shumë më tepër se një trajnere personale – ajo është një udhërrëfyese drejt një versioni më të mirë të vetes. Me një formim në psikologji që ndërthur bukurinë fizike me balancën mendore, Eri ka ndërtuar një qasje të veçantë që i bën trajnimet të jenë të personalizuara, reale dhe frymëzuese.
Në këtë intervistë për revistën “Bordo”, ajo ndan fillimet e saj, filozofinë që e udhëheq, mënyrën si punon me klientët, nga VIP-at te çdo individ që dëshiron të kujdeset për veten – si dhe transformime prekëse që i kanë lënë gjurmë në zemër. Një rrëfim i sinqertë, që do t’ju motivojë të shikoni palestrën (apo çdo formë aktiviteti fizik) me sy të tjerë: jo si një sfidë estetike, por si një akt dashurie për veten.
Eri, ti je kthyer në një emër të njohur për trajnimet me VIP-at. Si nisi ky rrugëtim në botën e fitnesit?
"E gjitha nisi nga dëshira dhe pasioni mbi të bukurën fizike, të shkrirë me mirëqenien psikologjike dhe forcën që ka vetë individi për të përmirësuar veten dhe arritjen e versionit më të mirë të vetes. Dashuria për veten është ajo çfarë na bën ne unik, ndaj çdo hap apo vendim i jetës fillon nga ne, gjendja se si ne jemi, luan rol të rëndësishëm në jetën tonë."
Cili është sekreti për të motivuar klientët e tu, veçanërisht ata që kanë një ritëm jetese të ngarkuar si figurat publike?
"Sekreti për të motivuar klientët e mi është duke i vënë në dukje progresin, që arrihet me anë të stërvitjes që në seancat e para. Pra, çdo pikë djerse e derdhur përkthehet në rezultate. Motivimi është një emocion që ndryshon në varësi “sesi të ecën dita”, ndërsa disiplina është zgjedhje e panegociueshme për objektivat që vendos së bashku me klientët e mi. Rezultati është motivimi më i mirë. Fakti që kam studiuar psikologji më ndihmon të kuptoj natyrën e klientit dhe të arrij objektivin e vendosur pa ia kthyer stërvitjen në stres, pasi jo çdo njeri është i dashuruar me palestrën, edhe pse çdo njeri do të shikoj veten sa më mirë. Nuk ka rëndësi nëse je figurë publike apo jo, e rëndësishme është sa kujdesesh për veten tënde në aspektin fizik dhe psikologjik."
Ke ndonjë filozofi personale në lidhje me trupin dhe mendjen që ndjek gjatë trajnimeve?
"Po, gjithmonë u them klientëve të mi që sikurse mendja ndikon në trupin tonë, pra p.sh.: kur je i trishtuar, stresuar trupi mblidhet, supet ulen dhe shpina merr një formë si të ‘kërrusur’ por njëkohësisht kur je i lumtur trupi sikur të hapet, pra ecën me konfidencë. Me anë të ushtrimeve fizike ne mund të bëjmë të njëjtën gjë, të përmirësojmë gjendjen tonë të brendshme. Është filozofia e balancës së mendjes me trupin."
A ndryshon trajtimi për një klient të njohur, nga ai për një njeri të zakonshëm? Si ruan profesionalizmin në të dyja rastet?
"Çdo klient trajtohet me shumë profesionalizëm dhe shumë dashuri. E dashuroj profesionin tim dhe kam shumë mirënjohje për çdo klient që më beson qoftë VIP apo jo i famshëm. Në të dy rastet, bëj të mundur që klienti të ndihet i dëgjuar për kërkesat e tij, dhe i sigurt për rezultatet që do të arrijmë së bashku. E vetmja gjë që ndryshon janë programet që janë të personalizuara për secilin klient. Mund të them që një klient VIP, ka privatësinë më shumë se sa një klient i zakonshëm."
Cili është më i rëndësishëm për ty: estetika trupore apo forca dhe qëndrueshmëria?
"Janë faktorë që ndërthuren me njëri-tjetrin. Forca, qëndrueshmëria, rezistenca, pra të gjithë komponentët përbërës të kondicionit fizik shërbejnë për një estetikë të mirë si nga forma ashtu dhe nga përmbajtja. E bukura është relative, por kur ndërthuret me atë që mund ta konsiderojmë si e mira ekzistenciale fizike, atëherë mund të themi se i jemi afruar perfeksionit."
Në rrjete sociale je aktive – sa e rëndësishme është për një trajnere të suksesshme të ndërtojë imazhin edhe online?
"Jetojmë në kohët e social media… e rëndësishme është të jesh origjinale, e prekshme dhe realiste në një kohë kur shumë pak realitet shohim në rrjetet sociale. Imazhi online flet atë që ti përfaqëson si profesioniste, por edhe si njeri pasi të dyja shkojnë paralel."

Si i përshtat trajnimet gjatë stinës së verës, kur ritmi i jetës dhe motivimi shpesh ndryshojnë?
"Rezultatet arrihen me shumë punë dhe disiplinë, pavarësisht stinës. Janë disa detaje të vogla teknike që bëjnë diferencën përsa i përket stërvitjes, por pavarësisht stinës stërvitja duhet të jetë pjesë përbërëse e ditës/jetës. Trupat e verës (plazhit) bëhen në dimër, nuk bëhen 2 muaj para plazhit, por në çdo situatë bëj më të mirën maksimale që mund të arrihet."
Cilat janë mitet më të mëdha që njerëzit besojnë ende për dobësimin apo “trupin perfekt”?
"Ditët e sotme kur informacioni është i pafund dhe i pa filtruar duhet treguar shumë kujdes përsa i përket nutricionit dhe ushtrimit fizik, pasi duke ju referuar personave joprofesionistë, mund t’i shkaktoni vetes dëme të pariparueshme shëndetësore dhe fizike. Për këtë arsye duhet të drejtoheni te specialisti përkatës, përsa i përket shëndetit (mjek, nutricionist) dhe trajnerit tuaj personal. Mit mund të them besojnë se nëse ushtron muskujt e barkut, të hiqet dhjami në zonën e barkut, ndërkohë që është dieta ajo që bën të mundur uljen e % dhjamore."
Një moment frymëzues nga puna jote – një transformim që të ka mbetur në mendje?
"Më vjen shumë mirë kur kliente të miat më tregojnë që i kam ndihmuar shumë, pasi kanë ardhur tek unë në një moment të vështirë të jetës dhe sot janë shumë mirënjohëse për punën, e cila është dhe meritë e vullnetit të tyre gjithashtu dhe ndjekjes nga ana ime si trajnere dhe si psikologe pasi jam diplomuar dhe në psikologji. Rastet janë të shumta p.sh.: mirënjohja e një nënë për nxjerrjen nga rruga jo e mirë e vajzës, nga jeta me substanca dhe shumë qetësues te jeta e shëndetshme me stërvitje dhe mirushqyerje. Dhe shumë e shumë raste vajzash të cilat nga një gjendje jo e mirë fiziko-psikologjike, sot gëzojnë shëndet shumë të mirë fizik dhe mendor."
Një këshillë për të gjitha gratë që hezitojnë të nisin stërvitjen apo nuk ndihen rehat në palestër?
"Mund të ushtrohen në disiplina si not, tenis, vrap (ecje e alternuar) e shumë e shumë sporte të tjera, aty ku ato e gjejnë veten. Pjesën e aktivitetit fizik ta shohin si maratonë jo si sprint! Këshilla e vetme është që të stërviten, qoftë në palestër apo jo, stërvitja është shëndet, mirëqenie dhe dashuri për veten dhe jetëgjatësi."
Nga Brunilda Gorovelli
