KreuCelebrity

Me tingujt e Fatrin Krajkës: Muzika diçka shumë personale!

“Influenca e muzikës shqipe mund të mos shfaqet direkt në sipërfaqen e punëve të mia, por gjithmonë funksionon si një përbërës i heshtur në botën time” 

Muzika e tij ka një ndjeshmëri aq elegante, në çdo notë që shkruan, sepse e gjithë qenia e kompozitorit Fatrin Krajka jepet pa kushte në çdo krijim që mban firmën e tij. Së fundmi, “Silent Bridges”, publikimi më i fundit i artistit, tashmë edhe në platformat digjitale, eksploron sferat e pathënë të lidhjes njerëzore përmes muzikës. Siç shprehet kompozitori, “Silent Bridges” mishëron të gjitha ato fije të heshtura të mirëkuptimit, që na lidhin përtej fjalëve, përmes momenteve të qeta dhe empatisë së pathënë. Prej vitesh i vendosur në Amerikë, pinjolli i familjes Krajka, vijon me sukses karrierën e tij si krijues, duke prodhuar muzikë për filma, e jo vetëm, pasi ndërsa ka mbyllur me sukses një bashkëpunim me koreografin Brigel Gjoka për muzikën e shfaqjes së tij “Negotiatin Paece”, po punon për një tjetër projekt në teatrin e baletit, me Taulant Shehun. 

Fatrin si po ecën “Silent Bridges”, e dëgjova në Spotify dhe më pëlqeu, ka shumë ndjeshmëri, ndaj jam kurioz, si lindi ky kompozim? 

Për mua çdo punë krijuese vjen nga një emocion ngacmues. Frymëzimi erdhi nga akti i tretë i baletit “Negotiating Peace” nga Brigel Gjoka. “Silent Bridges” fillimisht ishte një pjesë vetëm për piano solo. Gjatë procesit krijues, duke qenë se ishte shumë afër stilit tim, i ngjashëm me albumin “The Space In Between”, vendosa të orkestroj edhe një version tjetër për piano, violinë, violë dhe dy violonçela. Të dy versionet u regjistruan ‘live’ në Nju-Jork. Në fund, pjesa mori një formë tjetër, por vazhdon ta ruajë atë ndjesinë origjinale - si një urë e heshtur mes muzikës dhe qetësisë. 

Ndryshe nga kompozimet e tjera, “Silent Bridges” është 8 minuta, ka arsye pse është më e gjatë? 

“Silent Bridges” duke qenë pjesë për balet, është zhvilluar në ritmin e koreografisë. Personalisht mendoj se kompozimet me kohëzgjatje më të gjatë i japin kompozitorit hapësirën e duhur, për ta zhvilluar më mirë muzikën e tij. Në këtë rast, e lidhur edhe me frymëzimin nga koreografia, çdo frazë muzikore duhej të kishte hapësirën e nevojshme për t’u ndjerë dhe kuptuar plotësisht. 

Me koreografin Brigel Gjoka patët një bashkëpunim që po korr sukses në botë, si u bëtë bashkë? 

U njohëm përmes rrjeteve sociale, por personalisht e njihja, e vlerësoja punën dhe talentin e Brigelit. Ai më kontaktoi duke më propozuar një projekt që do ta niste në Kinë me kompaninë Xie Xin Contemporary Dance Theatre, por me një afat shumë të shkurtër - brenda një muaji duhej të krijoja gjysmën e muzikës së baletit, pasi fillonin provat. Nga dëshira e madhe për këtë bashkëpunim, nisëm menjëherë procesin krijues, ndërkohë unë ndodhesha në Nju-Jork, Brigeli mes Francës dhe Kinës. Ironikisht, Brigelin e takova personalisht për herë të parë në premierën e baletit në Shenzhen të Kinës. Ishte një rrugëtim i jashtëzakonshëm bashkëpunimi dhe fakti që kishim kohë aq të shkurtër, e bëri edhe më emocionuese ta përjetoje ‘live’ në skenë. 

Keni bashkëpunuar me koreografë, regjisorë dhe institucione arti bashkëkohor. Si ndryshon procesi juaj krijues kur punoni në dialog me një disiplinë tjetër artistike, krahasuar me kur shkruani solo? 

Çdo bashkëpunim në një disiplinë të re kërkon një përfshirje ndryshe, një mënyrë tjetër të menduari. Filmi ka strukturat më të fiksuara, muzika duhet të jetë në sinkron të plotë me imazhin. Ndërsa në balet është e kundërta: koreografët ndërtojnë lëvizjet mbi bazën e muzikës, stilit dhe hapësirës skenike. Me artin bashkëkohor gjithçka është më e hapur, më abstrakte, të shtyn të kërkosh, të krijosh në territore të paeksploruara. Kur shkruaj muzikë për ta interpretuar vetë, është diçka shumë personale. Është si një dialog i qetë me vetveten. 

 

Ju pashë në “Joe’s Pub”, sipas revistës “Rolling Stone” në 10 klubet më të mira në USA, si u gjendet aty? 

“Joe’s Pub” është një sallë ikonike, ku kanë performuar shumë artistë të mëdhenj si Amy Winehouse, Leonard Cohen apo Adele. Kisha dëshirë ta prezantoja albumin tim “The Space In Between” në një hapësirë intime për publikun në Nju-Jork. I propozuam një koncert dhe atyre u pëlqeu ideja dhe koncepti i muzikës. Më pas, nënshkruam kontratat për koncertin më 4 maj. 

A keni ndonjë projekt ta sillni edhe në skenën shqiptare? 

Po, kam shumë dëshirë ta sjell në skenën shqiptare projektin tim “The Space In Between” - në formë koncerti ‘live,’ ashtu edhe me një premierë të re. Mendoj se do të ishte shumë bukur të krijonim një projekt të veçantë, që bashkon muzikën me baletin. Ka shumë artistë shqiptarë që krijojnë dhe performojnë në Europë dhe SHBA, ndaj do të ishte domethënëse që publiku shqiptar të mirëpriste këto krijime të reja, të lindura jashtë, por me rrënjë që mund t’i ndjesh brenda saj. 

Ju kam ndjekur në disa intervista dhe kur përmendni babain tuaj, thoni: Krajka, pse? 

Babai ka qenë gjithmonë në skenën publike dhe ne ishim të gjithë si familje të angazhuar në krijimtarinë e tij. Jetonin dhe lundronim në botën e tij. Kjo ishe bota “Krajka”. Për ne ishte baba, por më shumë ishte ai person i lidhur me krijimtarinë që prodhonte. E gjithë shoqëria i thërrisnin Krajka. Edhe sot, ai personifikohet me mbiemrin. Sa më shumë kalon koha, mendoj se i shkonte ta thërrisnim nga mbiemri, sikur dhe personaliteti i tingëllonte mirë me këtë mbiemër. 

Babai juaj ka shkruar i ndikuar nga muzika popullore, sa peshë ka etnosi ynë për t’u përshtatur? 

Mendoj se muzika jonë popullore është shumë e pasur dhe origjinale. Stili im muzikor është i bazuar në muzikën klasike me influenca kontemporane. Normalisht, që influenca e muzikës shqipe mund të mos shfaqet direkt në sipërfaqen e punëve të mia, por gjithmonë funksionon si një përbërës i heshtur në botën time. Shumë herë zhanret muzikore shfaqin një gjendje emocionale te dëgjuesi dhe muzika popullore për mua duhet të ketë qëllim për t’u përdorur në krijimet e mia. 

Cili ka qenë mësimi më i vyer që ke marrë nga babai për muzikën? 

Disiplina, pasioni dhe këmbëngulja e tij ndaj muzikës kanë qenë shembulli më i fortë që më ka mbetur në mendje. Një fëmijë mëson zakonet e jetës nga prindi dhe tek ai pashë përkushtimin e përditshëm dhe dëshirën e vazhdueshme për të mësuar e studiuar. Kjo më bëri të kuptoj se muzika nuk është thjesht dëshirë apo talent, por kërkon punë dhe përkushtim të vazhdueshëm gjatë gjithë jetës. 

Muzika juaj shpesh ndërthur piano minimale me tekstura elektronike dhe orkestrim klasik. Si e gjeni ekuilibrin mes tingullit akustik dhe atij digjital? 

Ekuilibri është gjithmonë i vështirë për t’u arritur. Zhanri elektronik ka avantazhet e veta - krijon tinguj që nuk mund të riprodhohen me instrumente akustike dhe veshi i audiencës moderne shpesh i kërkon këto nuanca. Nga ana tjetër, muzika klasike dhe ajo akustike depërton menjëherë te dëgjuesi me ndjeshmërinë dhe afërsinë që sjell. Ndonjëherë edhe kompozimi ndjehet si në një proces kuzhinieri - pak nga kjo, pak nga ajo, për të krijuar përzierjen e duhur të teksturave dhe emocioneve. 

Kur kompozoni, nisni gjithmonë nga një instrument si pianoja, apo ka raste kur frymëzimi vjen nga një atmosferë, një imazh apo edhe një ndjenjë? 

Për çdo pjesë mendoj se është ndryshe. Disa pjesë lindin në piano, të tjera me mendje, por ato të mendjes duhen shkruar se edhe fshihen. Zakonisht inspirimet për një album marrin kohë - dhe deri në 3 vjet. Mendjes shumë herë i pëlqen ta përsërisë veten. Është gjithmonë një proces që ndryshon. 

A ka një kompozitor që ju frymëzon në punën tuaj ? 

Është vështirë të varësh në gozhdë një kompozitor ose një pjesë kompozicionale që më ka influencuar, sepse koshienca e njeriut thith rrymë muzikore gjatë viteve dhe këto influenca mund të vijnë nga shumë burime. Në rastin tim, muzika klasike e pianos, por edhe muzika e lehtë, sepse jam rritur me të, apo muzika e filmave dhe zhanreve avantgarde dhe kontemporane

U ftuat të prezantonit veprën “Khronos” nga albumi “The Space In Between” në “Vienna Art Week”, duke u bërë kompozitori i parë që prezanton atje. Si u krijua kjo mundësi? 

Lidhja me “Vienna Art Week” erdhi si një rastësi. Drejtori i Javës së Artit në Vjenë më kontaktoi për një projekt. Gjatë kohës që ndodhej në Nju-Jork, kishte dëgjuar albumin tim që sapo ishte publikuar në platformat digjitale dhe ishte pikërisht pjesa “Khronos”, ajo që e frymëzoi për të më ftuar të bëhem pjesë e programit. Ishte një eksperiencë e veçantë për mua, pasi isha i vetmi muzikant pjesëmarrës në javën e artit në Vjenë dhe më vonë, gjatë promovimeve, kuptova se isha edhe muzikanti i parë në historinë e këtij eventi. 

A keni diçka konkrete mbi të cilën po punoni aktualisht? 

Tani po mbaroj një kompozim të ri për Teatrin Hagen Ballet në Gjermani. Është një krijim për një balet me rreth 40 minuta me koreografin Taulant Shehu, dhe premiera do të jetë në fund të tetorit të këtij viti...! 

Nga: Olsi Kolami