Abuzimet me gjobat e padrejta ndaj drejtuesve të mjeteve po shtohen ndjeshëm kohët e fundit, duke shkaktuar zemërim dhe mosbesim tek qytetarët. Pas denoncimit të moderatorit Saimir Kodra në emisionin “Stop”, ku ai tregoi sesi një polic rrugor vendoste gjoba në mënyrë të padrejtë gjatë një radhe të gjatë në Elbasan, një tjetër figurë e njohur e ekranit ka ndarë përvojën e saj të ngjashme.
Moderatorja Dajana Shabani ka bërë publike në rrjetet sociale një video, ku tregon se ka marrë një gjobë absurde prej 500 mijë lekësh të vjetra në qytetin e Korçës — madje të njëjtën gjobë të vendosur në dy data të ndryshme, më 5 dhjetor 2023 dhe 17 janar 2024 — ndonëse ajo nuk ka qenë në atë qytet në asnjërën prej tyre.
“Unë kam një respekt të veçantë për uniformën e policisë, sidomos asaj rrugore sepse janë në mes të shiut e në mes të diellit. Por, surprizë më ka ardhur një gjobë 500 mijë lekë të vjetra. E njëjta gjobë në Korçë edhe në datën 5 dhjetor 2023 edhe në datën 17 janar 2024. E para, ndajeni mendjen në cilën datë, sepse është e njëjta gjobë. E dyta, në asnjë nga këto data nuk kam qenë në Korçë dhe nuk kam marrë një gjobë për tejkalim shpejtësie. Kështu që, vendosja e gjobave me pa të drejtë duhet të marrë fund. Ankohen të gjithë qytetarët për të njëjtin gabim që bën Policia: vendosjen e gjobave kur qytetarët nuk janë fare në atë vend. I bëj thirrje Policisë rrugore, Policisë së Shtetit, Ministrisë së Brendshme”, ishte mesazhi i saj.

