Turjan Hysko vjen sërish në vëmendjen e publikut me një projekt të ri kinematografik, filmin “Kazerma”, që pritet të shfaqet premierë më 20 nëntor. Projekti, i cili ngjall kureshtje që në koncept, nuk është komedi në kuptimin klasik të fjalës, por sipas Hyskos, “ka shumë humor brenda, megjithatë qëllimi është që publiku të dalë nga salla e kinemasë me reflektim”.
Në një intervistë ekskluzive për Revistën Bordo ai na zbulon disa detaje që nuk i dinim për filmin.
Kazerma” është një përzierje mes filmit dhe reality show-t, një ide që Hysko e ka mbajtur në sirtar për vite me radhë.
“Në fakt, ‘Kazerma’ ka qenë menduar fillimisht si reality show, por në kushtet e Shqipërisë nuk mund të realizohej. Më vonë, ideja u kthye në projekt filmi, sepse ku më mirë se në një reality mund të përmblidhet realiteti në të cilin jetojmë? Po t’i shtosh edhe kontekstin ushtarak, bëhet edhe më interesant,” shprehet ai për Bordo.
Sa i përket anës financiare, Hysko pranon se realizimi i një filmi është një sfidë e madhe.
“Sponsorizimet janë të vështira, sepse shpesh të detyrojnë të ndryshosh skenarin apo mënyrën e realizimit. Unë shpresën e kam te publiku – të shkojë në kinema që të mos dalim me humbje. Kostot nuk i them dot ende, sepse janë ende në proces, por di të them që të bësh film nuk është e lehtë. Megjithatë, me njerëzit e duhur realizohen gjëra të bukura.”Në këtë projekt, Turjani është bashkëregjisor së bashku me Xhoslin Ramën, për të cilin ai shprehet me shumë mirënjohje:
“Xhoslini është mjeshtër, më ka bërë gjithçka të lehtë. Unë kam qenë producent, që është fusha ku ndihem më komod, por si regjisor kam mësuar shumë prej tij dhe nga drejtori i fotografisë, Shpëtim Baca.”
Na flet për përzgjedhjen e kastit, moment që sipas tij ka qenë një proces i kujdesshëm.
“Kemi bërë audicione, kemi diskutuar emra dhe mendoj se kemi zgjedhur më të mirët për rolet përkatëse,” tregon Hysko. Në film do të shfaqen jo vetëm aktorë profesionistë, por edhe personazhe publikë që nuk janë aktorë, si Jonida Shehu dhe Drini Zeqo. “Epo, edhe unë jam një prej tyre,” shton me humor Turjani.
Filmi “Kazerma” pritet të jetë një nga projektet më të veçanta të këtij sezoni kinematografik, duke ndërthurur realitetin, ironinë dhe reflektimin në një mënyrë që vetëm Turjan Hysko di ta sjellë. Për më shumë ndiqni intervistën më poshtë:
