Në një rrëfim të sinqertë në programin “Rudina”, Mira Konçi foli për herë të parë me kaq detaje për periudhën e zhvendosjes së familjes në SHBA dhe mënyrën si kjo ndikoi tek dinamika e tyre familjare. Këngëtarja tregoi se fillimi i historisë së tyre jashtë vendit lidhej me shkollimin e fëmijëve, Erës dhe Drinit, të cilëve ajo nuk mund t’u qëndronte larg në asnjë moment.
Sipas Konçit, pasi Era u nis për studime në Amerikë, edhe pjesa tjetër e familjes u bashkua me të në vitin 2017. Megjithatë, me kalimin e viteve, u bë e qartë se Shpëtim Saraçi ndihej më mirë profesionalisht në Shqipëri, aty ku kishte ndërtuar gjithë jetën e tij artistike.
Pikërisht atëherë lindi edhe marrëveshja familjare: Mira do të qëndronte në SHBA pranë fëmijëve, ndërsa Shpëtimi do të vijonte punën e tij në Shqipëri. “Nuk mund t’i lija vetëm. Ishte një periudhë shumë e ndjeshme për të dy. Drini ishte ende në shkollë të mesme, Era sapo kishte mbaruar studimet… për mua ishte e pamundur të mos isha aty”, tregoi këngëtarja.
Ajo shtoi se, megjithëse e kupton rrethanën profesionale të Shpëtimit, dëshira e saj e brendshme ka qenë që familja të rrinte bashkë: “Doja të ishim bashkë, por kështu erdhi rrjedha e gjërave”.
Në bisedë u prek edhe pasioni muzikor i familjes, ku Era rrëfeu me entuziazëm se së fundi ka diskutuar me të atin për një projekt të ri. Ajo dhe vëllai, Drini, dëshirojnë të sjellin një këngë të kompozuar nga babai. “Do futem unë këtë herë. Folëm para pak ditësh që babi të na krijojë një këngë për mua dhe Drinin”, u shpreh Era.
Rrëfimi i Mira Konçit sjell një panoramë të qartë të sfidave familjare, vendimeve të vështira dhe lidhjes së fortë nënë-fëmijë, ku pavarësisht distancave dhe rrethanave, muzika mbetet ura që i bashkon.
