Aktorja shqiptaro-amerikane Eliza Dushku, e njohur për rolin e saj në serialin ikonik për adoleshentë Buffy the Vampire Slayer, duket krejt ndryshe sot, sipas një shkrimi të publikuar nga tabloidi britanik Daily Mail.
Fansat mund ta kenë të vështirë ta njohin, pasi gjatë gati një dekade larg skenës, pamja e saj ka pësuar ndryshime të dukshme.
Tashmë 44 vjeçe, Eliza shfaqet me flokë të gjatë dhe ngjyra të theksuara — një distancim i madh nga stili i saj i dikurshëm me flokë kafe, me gjatësi deri te supet, në rolin e Faith Lehane. Në postimet e fundit në rrjetet sociale, ajo shfaqet më e çliruar, shpesh pa makijazh dhe e veshur thjesht, duke treguar një stil jete krejt të ndryshëm nga vitet e saj në Hollywood. Megjithatë, ajo duket ende energjike dhe pa shenja të dukshme plakjeje.
Që nga largimi nga fama dhe jeta e dritave të skenës, Dushku ka zgjedhur një rrugë të re, më të qetë dhe më personale. Ajo është certifikuar në terapi me ndihmën e psikedelikëve dhe së fundmi ka përfunduar masterin në këshillim dhe shëndetin mendor klinik në Universitetin Lesley.



