Gazetarja e njohur, Kozeta Kurti, ka rrëfyer emocionet dhe përjetimet e rikthimit të saj në Top Albania Radio, median ku ajo nisi karrierën dhe ndërtoi themelet e profesionit të sotëm.
Kurti ka treguar se largimi i saj nga Top Albania Radio daton në maj të vitit 2007, ndërsa rikthimi ndodhi në shkurt ose mars të vitit 2020, pak para fillimit të pandemisë. Edhe pse godina e radios ishte po ajo, rikthimi e bëri ta ndjente ndryshe hapësirën.
“Radioja e madhe e Piramidës së 2007-s për mua dukej e vogël, sepse isha rritur unë,” është shprehur ajo me humor. “Më thanë: je rritur ti, nuk je më 20 vjeç, po bëhesh 40.”
Pas fillimit të programit të ri në 2020, pandemia dhe ndryshimet e orareve sollën një ndërprerje të shkurtër, por Kurti u rikthye sërish. Sot ajo vijon sezonin e katërt ose vitin e dytë kalendarik në mikrofonin e radios që e formoi profesionalisht.
Kozeta Kurti e quan radion “dashurinë e saj të përjetshme” dhe thotë se nuk do ta braktisë kurrë:
“Radioja është një medium që s’do ta lë deri në momentin që ajo do më lërë mua, kur unë nuk do kem zë ose mundësi të flas.”
Me mirënjohje të veçantë për Top Albania Radio, Kurti thekson se aty mori “pashaportën e punës” dhe rrjetin e njohjeve që i kanë ndërtuar kredibilitetin ndër vite.
“Një nga gjërat që kam mësuar në jetë dhe që nuk harroj asnjëherë është të jem mirënjohëse,” përfundon ajo.
Ky rikthim, për Kozeta Kurtin, nuk është thjesht një hap profesional, por një lidhje shpirtërore me vendin ku gjithçka nisi.
Intervista e plotë më poshtë:
