Can Yaman prej katër vitesh është kthyer në mashkullin më të pëlqyer në Itali nga audienca femërore. Aktori qe ka shkuar nga Turqia në “Bel Paese”, i fitoi shpejt zemrat e publikut italian, edhe falë faktit që fliste italisht perfekt — një meritë e viteve të shkollimit në një lice italian në Stamboll. Sot, ai pritet të rikthehet si një nga ikonat e ekranit, pasi është zgjedhur si pasardhësi i Kabir Bedit në rolin legjendar të Sandokanit, një prej serive më të dashura në historinë e televizionit italian.
Në një intervistë për Corriere della Sera, Yaman zbulon se ka rrënjë shqiptare: E ëma është me origjinë nga Kosova, ndërsa i ati nga një familje e diasporës shqiptare. Megjithëse në shtëpi është folur shqip, aktori — që zotëron gjashtë gjuhë — pranon se nuk di asnjë fjalë ne gjuhen shqipe.
Can Yaman lindi në Suadiye të Stambollit 36 vjet më parë, dhe historia e tij ka aromën e një përralle moderne. Ai ishte një avokat i ri kur u vu re për herë të parë në një dasmë në Moskë, ku mori një ofertë për një rol të vogël televiziv. Në atë kohë punonte si konsulent në PricewaterhouseCoopers, pas një diplome në drejtësi dhe një karriere të shkëlqyer akademike. Por rutina e punës para kompjuterit nuk e bënte të lumtur, kështu që në moshën 24-vjeçare mori vendimin e madh të jetës: të linte ligjin dhe të ndiqte aktrimin.
Që nga ai moment, gjithçka ndryshoi. Ai u bë i famshëm përmes telenovelave turke si Bittersweet dhe Daydreamer, të transmetuara në Canale 5 në vitet 2019 dhe 2020. Shumë shohin ngjashmëri mes tij dhe aktorit indian Kabir Bedi, yllit legjendar të versionit të parë të “Sandokan”, por ka edhe nga ata që e krahasojnë me Johnny Depp-in e “Pirates of the Caribbean”.
Pas 50 vitesh nga suksesi i adaptimit origjinal, Can — i shqiptuar Jean në frëngjisht — është thirrur për të interpretuar Tigrin e Malajzisë në tetë episode të prodhuara nga Lux Vide (Fremantle Group) dhe Rai Fiction, me regji të Jan Michelini dhe Nicola Abbatangelo. Seriali ka një kast ndërkombëtar: Alessandro Preziosi në rolin e Yanez de Gomera, Alanah Bloor si Perla e Labuanit, ndërsa John Hannah dhe Ed Westwick interpretojnë Serxhenin Murray dhe Lord Brooke.



