Tuna, në mbledhjen perkujtimore për Shpat Kasapin, iu rikthye kujtimeve te fëmijërisë së tyre të përbashkët.
“Unë dhe ti, Shpat, ecëm krah për krah në kaq shumë rrugë. Ishim shokë klase, ishim fëmijë të bekuar me prindër që na mbështetën në ëndrrat tona për muzikën. Ishim adoleshentë që u përballën me peshën e famës para se të kuptonim çfarë nënkuptonte ajo. Ishim dy të rinj që nisëm betejat tona nga Shkupi, duke depërtuar në Prishtinë, Tiranë e kudo ku ka shqiptarë — dhe ia dolëm, Shpat.
Ti ia dole. Sot kënga jote jehon në çdo qytet, në çdo shtëpi, në çdo zemër ku flitet shqip. Sepse ti le shumë pas: le muzikën që do ta mbajë emrin tënd të gjallë përherë; le buzëqeshjen tënde — atë buzëqeshje që nuk u largua kurrë nga fytyra jote; le porosinë se të jesh i mirë, i pastër, i qetë, i dashur, është një vlerë e njerëzimit.
Shpat Kasapi, miku ynë, ti ishe dhe do të mbetesh pjesë e një brezi të artë. Do të vijnë emra të tjerë, do të krijohen këngë të tjera, por vendi yt, drita jote, nuk do të zëvendësohen. Dhe nëse një ditë Roeli vendos të ngjitet në skenë, unë do të jem aty. Të premtoj: do ta mbështes, ashtu si dikur ne mbështetëm njëri-tjetrin. Ky është premtimi im për ty.”


