
Këngëtari i njohur Aleksandër Gjoka ka reaguar për herë të parë pas aludimeve në portale se mund të jetë pjesë e edicionit të tretë të Ferma VIP.
Përmes një postimi në rrjetet sociale, artisti ka ironizuar lajmet që qarkulluan për pjesëmarrjen e tij, duke theksuar se nuk ka asnjë dëshirë të jetë pjesë e këtij formati dhe se nuk e ndjen veten pjesë të botës “VIP”.
“Po mendoj për përballjen time imagjinare tek Ferma VIP hahahaha… Që të jeni të qartë ju portale, unë akoma s’e kam njohur dhe s’dua ta njoh të qenit ‘VIP’, sepse e ndjej veten mirë në mes disa artistëve që nuk janë ‘VIP’ si puna ime. Mos harroni o portale se amatorët i kemi me pakicë, mos të them fare… tung”, shkruan ai në reagimin e tij.

Deklarata e këngëtarit vjen në një kohë kur kanë nisur të qarkullojnë shumë emra të mundshëm për kastin e ri të Ferma VIP, i cili pritet të nisë më 20 mars.
Mes personazheve që përfliten si pjesëmarrës janë Jonida Maliqi, Romir Zalla, Mimoza Ahmeti, Akil Varfi, Ledian Agallijaj dhe Indri Shiroka.
Ndërkohë, është përfolur se Inida Gjata mund të jetë pjesë e spektaklit në rolin e opinionistes, ndërsa Ilir Shaqiri pritet të ketë rolin e kryeplakut.
Ndërkohë, moderimin e këtij edicioni e ka zyrtarizuar tashmë Arbana Osmani, e cila do të rikthehet në ekran me drejtimin e spektaklit.
Me afrimin e datës së nisjes së programit, pritet të zbulohen edhe më shumë detaje mbi formatin dhe lista përfundimtare e konkurrentëve që do të jenë pjesë e këtij sezoni.
