Në episodin e fundit të “UëTëFë Show” në Andale Media, moderatorët Fatos Sulo, Kostjan Gjerazi dhe Artemis Senja u ndalën te një temë që ngjall gjithmonë kureshtje: fitimet e mundshme të personazheve publike shqiptare nga podkastet në YouTube.
Në këtë “përllogaritje” nuk mbeti pa u përmendur as Mira Kazhani, një nga gazetaret e para që ka krijuar podkastin e saj në Shqipëri dhe që transmeton në YouTube që prej vitit 2021.
Duke iu referuar të dhënave të gjetura në Google, moderatorët pretenduan se një shikim videoje përkthehet në rreth 0.03 dollarë. Bazuar në një mesatare prej 200 mijë shikimesh për episodet e podkastit të Kazhanit, ata arritën në përfundimin se fitimi mund të shkonte deri në 6 mijë dollarë.
Megjithatë, edhe vetë moderatorët nisën të dyshonin për saktësinë e llogaritjeve. “Mos është 600?” – tha Kostjani gjatë diskutimit, duke ngritur pikëpyetje mbi shifrën e përmendur.
Dhe duket se dyshimet nuk ishin të pabaza. Duke ripostuar videon e tyre në rrjetet sociale, Mira Kazhani reagoi me humor, duke shkruar:
“Jeni shumë të mirë, por jo me llogaritë.”
Një përgjigje ironike që u prit me të qeshura nga ndjekësit dhe që shtoi edhe më shumë interes rreth debatit për fitimet reale nga podkastet në YouTube.

