KreuCelebrity

U nderua me titullin “Qytetare Nderi”, Parashqevi Simaku shpreh mirënjohje ndaj kryetarit të bashkisë dhe qytetarëve kavajas: Me ju me zemër e shpirt!

U nderua me titullin “Qytetare Nderi”, Parashqevi Simaku shpreh

Këngëtarja e njohur Parashqevi Simaku u nderua me titullin “Qytetare Nderi” gjatë festës tradicionale “Sofra e Kavajës”, e zhvilluar në qytetin e saj të lindjes. Ky vlerësim u prit me emocion të madh nga artistja, e cila falënderoi publikisht institucionet dhe njerëzit që kontribuuan në këtë nderim.

Biznesmeni Elton Ilirjani ndau në rrjetet sociale një video nga momenti prekës, ku Parashqevi shpreh mirënjohjen e saj të veçantë ndaj kryetarit të Bashkisë së Kavajës, Fisnik Qosja, si dhe ndaj të gjithë atyre që kanë qenë pranë saj ndër vite.

Në fjalën e saj, këngëtarja kujtoi me nostalgji hapat e parë në muzikë, që nga fëmijëria, duke përmendur mësuesit, familjarët dhe figurat e rëndësishme që e orientuan drejt botës së artit. Ajo theksoi se kjo periudhë e jetës së saj mbetet themeli i gjithçkaje që ajo ka ndërtuar më pas në karrierë.

“Është bërë gati një vit që dëgjova për herë të parë për këtë nismë dhe kjo më ka qëndruar gjithmonë në zemër. Gjatë gjithë kësaj kohe rikuperimi, kam dashur ta shpreh publikisht mirënjohjen time për këtë nder të madh”, u shpreh Simaku me emocion.

Ajo nënvizoi lidhjen e fortë me qytetin e saj, duke thënë se Kavaja është pjesë e pandashme e identitetit të saj:
“Mund ta nxjerrësh Parashqevinë nga Kavaja, por nuk mund ta nxjerrësh Kavajën nga Parashqevia. Jam me ju me gjithë zemër e me gjithë shpirt. Kudo që kam kënduar, në Shqipëri apo në botë, kam përfaqësuar me krenari qytetin tim.”

Duke iu referuar shprehjes popullore “Guri i rëndë në vend të vet”, Parashqevi Simaku theksoi se pavarësisht suksesit dhe jetës jashtë vendit, shpirti dhe rrënjët e saj kanë mbetur gjithmonë kavajase. Ajo e mbylli mesazhin me mirënjohje të thellë për qytetin që e lindi dhe e rriti, duke shprehur dëshirën që të ishte fizikisht e pranishme në këtë ngjarje të veçantë.