KreuCelebrity

Vdes motra e George Clooney-t: "Ada ishte heroina ime"!

Vdes motra e George Clooney-t: "Ada ishte heroina ime"!

Motra e aktorit të njohur dhe fituesit të çmimit “Oscar”, George Clooney, Adelia Ada Zeidler, është ndarë nga jeta pas një beteje të gjatë me kancerin. Ajo ishte 65 vjeçe.

Lajmi u konfirmua nga vetë Clooney për revistën People, ku ai e përshkroi motrën e tij si një figurë frymëzuese dhe jashtëzakonisht të fortë. “Ada ishte heroina ime. Ajo e përballoi sëmundjen me guxim dhe humor. Nuk kam njohur kurrë një njeri kaq të fortë”, u shpreh aktori.

Clooney theksoi se humbja e saj është e rëndë edhe për bashkëshorten e tij, Amal Clooney, duke shtuar se Ada do t’u mungojë pafundësisht të gjithë familjarëve.

Adelia Ada Zeidler ndërroi jetë e rrethuar nga familja e saj në Edgewood, Kentucky, ndërsa ceremonia mortore pritet të mbahet më 22 dhjetor.

E njohur për talentin dhe përkushtimin e saj ndaj artit, Zeidler kishte punuar për disa vite si mësuese arti në shkollën fillore Augusta Independent School. Sipas nekrologjisë, ajo kishte spikatur që herët edhe në fushën akademike, duke u kualifikuar si Studente e Meritës Kombëtare gjatë shkollës së mesme.

Edhe pse zgjodhi të jetonte larg vëmendjes publike, Ada kishte një lidhje shumë të ngushtë me vëllanë e saj. Në një intervistë të mëparshme, ajo kishte treguar me humor se nuk e ruante numrin e telefonit të Clooneyt për arsye sigurie, duke preferuar komunikimin përmes e-mailit.

Adelia Ada Zeidler lë pas prindërit e saj, Nick dhe Nina Clooney, si dhe dy fëmijët, Nick Zeidler dhe Allison Zeidler Herolaga.