Tensionet brenda familjes Beckham duket se kanë hyrë në një fazë të re, këtë herë të reflektuara hapur në rrjetet sociale. David dhe Victoria Beckham nuk e ndjekin më në Instagram djalin e tyre të madh, Brooklyn Peltz Beckham, ndërsa edhe ai ka bërë të njëjtën gjë ndaj prindërve të tij.
Përveç kësaj, çifti Beckham nuk ndjek as bashkëshorten e Brooklyn, Nicola Peltz Beckham, ndërkohë që as David e as Victoria nuk shfaqen në listën e ndjekjeve të aktores. Brooklyn gjithashtu nuk ndjek në Instagram as vëllezërit e tij, Romeo dhe Cruz Beckham, dhe as ata nuk e ndjekin atë. E njëjta situatë vlen edhe për Nicolën. Vajza më e vogël e familjes, Harper Beckham, nuk ka një llogari në Instagram.
Nga ana tjetër, David dhe Victoria vazhdojnë të ndjekin dy djemtë e tjerë, Romeo dhe Cruz, duke e bërë edhe më të dukshëm përjashtimin e Brooklyn nga rrethi familjar në rrjete sociale. Përfaqësuesit e David, Victoria dhe Brooklyn nuk kanë reaguar ende ndaj kërkesave për koment.
Këto lëvizje në Instagram vijnë në një periudhë të tensionuar për familjen e famshme britanike. Marrëdhëniet e ftohta datojnë që prej vitit 2022, kur Brooklyn u martua me Nicolën në një ceremoni luksoze në Palm Beach, Florida. Festa, megjithëse madhështore, shënoi fillimin e përfoljeve për një përçarje mes çiftit të ri dhe pjesës tjetër të familjes Beckham.
Në atë kohë, u përfol për një konflikt mes Nicola Peltz dhe Victoria Beckham, i lidhur me fustanin e nusërisë, pasi Nicola nuk veshi një dizajn të ish-anëtares së Spice Girls, ndonëse kjo ishte planifikuar fillimisht. Burime të ndryshme kanë dhënë versione të kundërta mbi këtë situatë, duke e bërë edhe më të paqartë origjinën e konfliktit.
Tensionet thuhet se u shtuan edhe gjatë dasmës, kur Victoria dyshohet se ndërhyri në një moment të planifikuar të çiftit gjatë një kënge të interpretuar nga Marc Anthony, një detaj që sipas burimeve ka lënë gjurmë në marrëdhëniet familjare.
Mungesa e Brooklyn dhe Nicolës u vu re edhe në festën e 50-vjetorit të David Beckham, e mbajtur në Londër në muajin maj. Edhe pse ishin të ftuar, çifti nuk mori pjesë në event, ndërsa të pranishëm ishin Victoria, Romeo, Cruz dhe Harper. Sipas burimeve, arsyeja lidhej me praninë e të dashurës së Romeos, Kim Turnbull, për të cilën u përfol se kishte pasur një lidhje të mëparshme me Brooklyn diçka që më pas u mohua publikisht nga vetë Cruz dhe nga burime të afërta me familjen.
Në muajt e fundit, përplasjet janë reflektuar edhe përmes postimeve të koduara në rrjetet sociale. Brooklyn ndau një video romantike me Nicolën, duke deklaruar se do ta “zgjidhte gjithmonë atë”, ndërsa pak më vonë Cruz publikoi një foto familjare me një mesazh të fortë dashurie për prindërit e tij.
Sipas burimeve pranë familjes, përpjekjet për pajtim kanë qenë të vazhdueshme, por të vështira. Megjithatë, pavarësisht zhgënjimit dhe distancës aktuale, theksohet se marrëdhënia nuk është e pakthyeshme dhe se David dhe Victoria vazhdojnë ta duan djalin e tyre dhe të jenë aty për të, edhe pse janë të lënduar nga largimi i tij nga jeta familjare.
