Pritjes i erdhi fundi! Mbrëmjen e sotme ka nisur zyrtarisht edicioni i pestë i “Big Brother VIP Albania”, një nga formatet televizive më të ndjekura dhe më të komentuara nga publiku shqiptar. Spektakli rikthehet me premtime për emocione të forta, debate të zjarrta, rrëfime personale, skandale, incidente dhe histori dashurie që pritet të mbajnë publikun të mbërthyer për javë të tëra.
Shtëpia e famshme e “BBV” ka hapur dyert dhe surprizat kanë filluar që në minutat e para. Banori i parë që hyri zyrtarisht në lojë është Miri i West Side Family, me emrin e plotë Armir Shahini. Ai u bë i pari që përjetoi emocionin e hyrjes në shtëpinë më të famshme në Shqipëri, duke vendosur kështu gurin e parë të këtij edicioni.
Gjatë fjalës së tij, Miri u shpreh se ndarja nga familja nuk ka qenë e lehtë, por e sheh si një sakrificë të përkohshme. Ai theksoi se gjëja më pozitive për të është fakti që familjarët do ta ndjekin 24 orë në ditë dhe do të jenë pranë tij në këtë eksperiencë të veçantë.
Me hyrjen e banorit të parë, loja ka nisur zyrtarisht dhe publiku tashmë është gati të ndjekë çdo hap, strategji dhe zhvillim brenda shtëpisë së “Big Brother VIP Albania 5”, ku si gjithmonë gjithçka është e mundur.
