KreuCelebrity

"Shihemi në shtëpi": Konfirmohet banori i parë i “Big Brother VIP 5”, gazetari heq kollaren në mbyllje të emisionit!

"Shihemi në shtëpi": Konfirmohet banori i parë i

Anxhelo Haruni do të jetë banori i parë zyrtar i “Big Brother VIP Albania 5”, spektaklit që nis nesër në orën 21:15 në Top Channel. Autori dhe moderatori i emisionit ekonomik “Top Talk” e ka bërë vetë publik lajmin, duke njoftuar se është gati të nisë një kapitull krejtësisht të ri në karrierën e tij, këtë herë larg studios dhe përballë një eksperience totale izolimi.

“Sot po e mbyll këtë kapitull me shumë mirënjohje, sepse nesër hapet një tjetër. Nga nesër, zyrtarisht, do të jem konkurrent në Big Brother VIP Albania 5,” u shpreh Haruni.

Ai bëri me dije se, sipas rregullave të formatit, do të hyjë menjëherë në izolim të plotë, pa telefon dhe pa asnjë kontakt me botën e jashtme, njësoj si konkurrentët e tjerë që ndodhen tashmë në pritje të nisjes së lojës.

“Nga ky çast, loja nis për të gjithë njësoj,” theksoi ai.

Haruni nënvizoi se në “Big Brother” nuk do të shkojë me një rol apo strategji të ndërtuar, por si vetvetja, duke premtuar një version të sinqertë dhe të panjohur më parë për publikun.

“Në Big Brother nuk shkon një rol, shkon njeriu. Do të shihni versionin e vërtetë, me gabime, emocione, forcë dhe dobësi,” deklaroi gazetari.

Në fund, ai falënderoi ndjekësit për mbështetjen dhe u shpreh se synimi i tij është të shkojë deri në fund të kësaj aventure.

“Tani… shihemi brenda shtëpisë,” përfundoi Haruni.