Kensington Palace ka publikuar foton e kartolinës së Krishtlindjes për këtë vit të Princit dhe Princeshës së Uellsit, me fëmijët e tyre, Princin George, Princeshën Charlotte dhe Princin Louis, të ulur në natyrë, një foto familjare të jep ngrohtësinë në këto festa.
Kartolina shoqërohet me urimin: “I urojmë të gjithë Gëzuar Krishtlindjet!” dhe tregon një moment pranvere, pasi fotografia është realizuar nga fotografi Josh Shinner në prill. Fëmijët duket se mbajnë të njëjtat veshje që u përdorën më parë për fotot e ditëlindjeve të tyre.
Ndërsa foton për ditëlindjen e Princeshës Charlotte e ka realizuar vetë Princesha Catherine, e cila është një fotografe amatore e apasionuar, në raste të veçanta, fotografë të njohur profesionistë si Mario Testino, Chris Jackson dhe Millie Pilkington kanë qenë pas kamerës.
Kartolinat e Krishtlindjes janë një traditë e familjes mbretërore britanike, dhe këtë vit, ato vijnë pas një periudhe të vështirë për çiftin, pasi Princesha Kate përfundoi trajtimin e kancerit dhe po rikthehet gradualisht në detyrat mbretërore. Prince William ka përshkruar 2024-n si “vitin më të vështirë” të jetës së tij, me trajtimin e kancerit të gruas dhe të babait të tij.
