KreuCelebrity

Si rrallë ndonjëherë, “Opinion” nuk u transmetua dhe “plasën” spekulimet”!

Si rrallë ndonjëherë, “Opinion” nuk u transmetua dhe

Emisioni “Opinion” në RTV Klan, si rrallëherë, nuk u transmetua mbrëmjen e djeshme drejtpërdrejt, duke nxitur spekulime të shumta mbi arsyet e mungesës së tij. Për këtë situatë ka reaguar vetë moderatori Blendi Fevziu, i cili ka sqaruar publikisht çfarë ndodhi.

Sipas Fevziut, arsyeja lidhej me transmetimin e ceremonisë së “Topit të Artë”, e cila ishte parashikuar të zgjaste më shumë dhe të mbulonte orarin e zakonshëm të “Opinion”. Megjithatë, ceremonia përfundoi më herët nga sa ishte menduar.

“Ka qenë një gabim i televizionit Klan, i cili duhej ta kishte sqaruar që në mëngjes se emisioni ‘Opinion’, si në raste shumë të rralla, nuk do të transmetohej për t’i hapur rrugë ‘Topit të Artë’. Kjo nuk u bë”, u shpreh Fevziu.

Gazetari tregoi se mungesa e emisionit ka nxitur teori të shumta, madje edhe pretendime për ndërhyrje apo censurë për shkak të temave politike që priteshin të diskutoheshin.

“Sot në mëngjes jam zgjuar me shumë mesazhe dhe teori konspirative, madje edhe statuse që pretendonin se emisioni ishte regjistruar dhe nuk ishte lejuar të transmetohej për arsye politike. Asgjë nga këto nuk është e vërtetë”, theksoi ai.

Në fund, Fevziu sqaroi se vendimi për të mos nisur emisionin me vonesë ishte i tij, pavarësisht se ceremonia e “Topit të Artë” përfundoi më herët.

“Nuk dihej kur do të mbaronte ‘Topi i Artë’ dhe unë nuk pranova të hyja në emision pas orarit. Emisioni nuk është regjistruar, nuk është përgatitur fare, sepse ‘Opinion’ është pothuajse gjithmonë live. Për këtë arsye kam anuluar udhëtimin dhe sonte do të realizojmë të njëjtin emision, me të njëjtët të ftuar. Ishte thjesht një keqpërllogaritje kohe dhe një banalitet shqiptar. Pa dyshim, televizioni Klan duhej ta kishte njoftuar publikun.”