KreuCelebrity

Prada prezanton sandale “Made in India” për një çmim marramendës!

Prada ka njoftuar se do të lançojë një koleksion të kufizuar sandalesh “Made in India”, të frymëzuara nga këpucët tradicionale indiane Kolhapuri chappals, me çmim rreth 800 euro (930 dollarë) për palë. Lajmi u konfirmua për Reuters nga Lorenzo Bertelli, drejtues i lartë i grupit italian të luksit, duke e kthyer reagimin negativ për përvetësim kulturor në një bashkëpunim konkret me artizanë indianë.

Sipas Bertelli-t, Prada do të prodhojë 2,000 palë sandale në rajonet Maharashtra dhe Karnataka, në bashkëpunim me dy institucione shtetërore, duke kombinuar mjeshtërinë tradicionale indiane me teknologjinë. Koleksioni pritet të dalë në shitje në shkurt 2026, në rreth 40 dyqane Prada në mbarë botën dhe online.

Marka u përball me kritika rreth gjashtë muaj më parë, pasi në një sfilatë në Milano prezantoi sandale që i ngjanin këpucëve indiane të shekullit XII. Imazhet u përhapën me shpejtësi në rrjetet sociale, duke nxitur reagime të forta nga artizanë dhe politikanë indianë. Prada më pas pranoi se dizajni ishte frymëzuar nga stilet e lashta indiane dhe nisi bisedime për bashkëpunim me komunitetet artizanale.

Tashmë, kompania ka nënshkruar marrëveshje me Sant Rohidas Leather Industries and Charmakar Development Corporation (LIDCOM) dhe Dr Babu Jagjivan Ram Leather Industries Development Corporation (LIDKAR), institucione që promovojnë trashëgiminë e lëkurës në Indi.

“Ne duam të jemi një shumëzues i ndërgjegjësimit për këto chappals,” u shpreh Bertelli, djali i madh i themeluesve të Prada-s, Miuccia Prada dhe Patrizio Bertelli.

Bashkëpunimi, i planifikuar për tre vjet dhe ende në fazë finalizimi, do të përfshijë programe trajnimi për artizanët lokalë në Indi, si dhe mundësi për qëndrime të shkurtra në Akademinë e Prada-s në Itali. Projekti dhe programet e trajnimit do të kushtojnë “disa milionë euro”, ndërsa Bertelli siguroi se artizanët do të paguhen në mënyrë të drejtë.

Kolhapuri chappals e kanë origjinën në Maharashtra dhe Karnataka dhe prodhohen tradicionalisht nga komunitete të margjinalizuara. Artizanët shpresojnë se bashkëpunimi me Prada-n do të rrisë të ardhurat, do të tërheqë brezat e rinj drejt zanatit dhe do të ndihmojë në ruajtjen e një trashëgimie të rrezikuar nga imitimet e lira dhe rënia e kërkesës.

“Pasi Prada e promovon këtë zanat si produkt luksi, efekti zinxhir do të funksionojë dhe do të rrisë kërkesën,” tha Prerna Deshbhratar, drejtoreshë menaxhuese e LIDCOM.

Sa i përket zgjerimit në Indi, Bertelli tha se Prada, e cila hapi dyqanin e saj të parë të bukurisë në Delhi këtë vit, nuk planifikon hapje të reja dyqanesh veshjesh apo fabrika në afat të shkurtër. Megjithatë, hyrja e drejtpërdrejtë në tregun indian mbetet në shqyrtim për tre deri në pesë vitet e ardhshme.